Lajme

Qipro s’e ndryshon qëndrimin për pavarësinë e Kosovës


Ambasada e Qipros në Beograd në një përgjigje me shkrim për mediumin opozitar serb Nova.rs kanë thënë se nuk e kanë ndërmend ta njohin pavarësinë e Kosovës edhe pse flitej se pas marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve, pesë shtetet e Bashkimit Evropian që akoma nuk e kanë njohur Kosovën mund të ndryshojnë qëndrim.

Përgjigja e misionit diplomatik qipriot, e dhënë në emër të ambasadorit ishte e shkurtër, “Përgjigja në pyetjen tuaj ‘A po mendon Qipro për njohjen e pavarësisë së Kosovës’ është jo”.

Edhe Rumania ende mban qëndrim të njëjtë për Kosovën.

Kështu patën njoftuar nga zyra për media e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rumanisë në një përgjigje për Albanian Post më 7 mars.

“Rumania nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe qëndrimi ynë mbetet i njëjtë”.

MPJ-ja rumune, megjithatë, ka shtuar se Bukureshti zyrtar, ka pasur një qasje konstruktive për sa i përket marrëdhënieve dypalëshe me Kosovën, përfshirë mbështetjen me votën pro për çështjen e liberalizimit të vizave.

Ndërsa presidentja e Greqisë, Katerina Sakelaropoulou, në një intervistë për gazetën serbe “Politika”, deklaroi se qëndrimi i vendit të saj – njëra nga pesë shtetet brenda Bashkimit Evropian që nuk e njeh Kosovën – mbetet i njëjtë.

“Greqia, përveç qëndrimit të saj të njohur për statusin e Kosovës dhe besnike ndaj politikës së saj në Ballkanin Perëndimor, ndjek një qasje pragmatike dhe konstruktive në raport me Kosovën, e cila synon forcimin e stabilitetit si dhe një lëvizje të përgjithshme drejt integrimit në BE të të gjithë rajonit”, tha Sakellaropoulou.

Ndryshe, nga 27 shtetet anëtare të BE-së, pesë prej tyre nuk e njohin Kosovën si shtet, ku bëjnë pjesë Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore