Lajme

Qeveria s’po i ndihmon komunat që udhëhiqen nga opozita, thotë Krasniqi


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një takim me strukturat e kësaj partie në Kaçanik, ka adresuar kritika ndaj Qeverisë së Kosovës për indiferencë krahas nevojave të qytetarëve.

Gjithashtu, ai theksoi se pozita duhet t’i lë anash inatet politike dhe të ndihmojë me projekte kapitale komunat që udhëhiqet nga opozita.

“Është për keqardhje qasja e qeverisë qendrore, e cila për inate politike nuk po i ndihmon me projekte kapitale komunat që udhëhiqen nga opozita e nivelit qendror”, tha Krasniqi përmes një statusi në Facebook.

Krasniqi u ka premtuar qytetarëve të Kaçanikut se PDK nuk do të qëndrojë e heshtur karshi nevojave të qytetarëve sidomos në përballjen me krizat në të cilat po kalon vendi.

“Fatkeqësisht, kjo Qeveri ka zgjedhur heshtjen dhe indiferencën krahas nevojave dhe kërkesave të qytetarëve. Por, e heshtur nuk do të qëndrojë Partia Demokratike e Kosovës, e cila, si lidere e opozitës, në secilën mundësi do të avokoj dhe ti shtyjë përpara politikat të cilat do të përmirësonin mirëqenien dhe jetën e qytetarëve të Kosovës”, shtoi kreu i PDK-së.

Ai e ka përgëzuar kryetarin e Kaçanikut, Besim Ilazin, për punën e madhe dhe i ka ofruar këtij të fundit mbështetjen e plotë për të gjitha projektet dhe planet në të mirë të qytetarëve të këtij qyteti.

“Jam shumë i inkurajuar me energjinë e kryetarit Ilazi, ekipit të tij dhe përkushtimin e madh për të realizuar të gjitha zotimet e dhëna. Duke e përgëzuar për punën e madhe, kryetarit Ilazi i oforva mbështetjen e plotë, timen dhe të PDK-së, për të gjitha projektet dhe planet në të mirë të qytetarëve dhe qytetit të Kaçanikut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore