Lajme

“Qeveria s’është e interesuar ta luftojë korrupsionin”


Ilustrim

Kanë kaluar më shumë se një vit prej kur Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës, por sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit korrupsioni nuk po ndëshkohet, ndonëse Kurti para se të bëhej kryeqeveritar gjatë fushatës parazgjedhore thoshte se “sfida jonë e radhës është çlirimi i Kosovës nga korrupsioni dhe kapësit e shtetit”.

Megjithëkëtë, sipas raportit të DASH-it, shumë njerëz në qeveri, opozitë, shoqëri civile dhe media, raportuan raste të zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion ose duke vepruar pa u ndëshkuar.

Kritikat e DASH-it për Qeverinë e Kosovës, ligjëruesi i medias dhe konflikt që vepron në Norvegji, në Universitetin e Agder-it, Abit Hoxha, thotë janë me vend.

Ai konsideron që ekzekutivi fatkeqësisht ende nuk është i interesuar ta luftojë korrupsionin, por është i interesuar të duket se e lufton korrupsionin.

“Raporti qartësisht fajëson qeverinë për mosveprim ndaj zyrtarëve të korruptuar që qëndrojnë në pozita publike edhe pse duket se ka iniciativa anti-korrupsion”, tha Hoxha për Albanian Post.

Abit Hoxha

Ndryshe nga Qeveria që më shumë pompozitet e proklamoi luftën kundër korrupsionin, raporti konstaton se një luftë e tillë s’po bëhet.

“Luftimi i korrupsionit në Kosovë duhet të ketë një qasje gjithëpërfshirëse e jo të ketë cak individë dhe duke zëvendësuar një funksionar partiak me një tjetër funksionar partiak”.

Ndërsa për Ehat Miftarajn nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, luftimi i korrupsionit nuk matet asnjëherë me vendime administrative, me aksione policore dhe me numër të personave të arrestuar, “por me aktgjykime dënuese dhe me vlerën e pasurisë së konfiskuar nga aktivitetet kriminale që lidhen me korrupsion”.

“Edhe në vitin 2021, Kosova nuk ka mundur ta dëshmojë këtë me rezultate konkrete”, theksoi Miftaraj për AP.

“Jo vetëm ky raport, por edhe raporte tjera e potencojnë se sistemi i drejtësisë në Kosovë ende është lehtë i ndikuar nga politika dhe grupet e interesit, dhe se ky sistem nuk po arrin të sigurojë pavarësinë dhe paanshmërinë gjatë ushtrimit të kompetencave dhe përgjegjësive në praktikë”.

Ehat Miftaraj

Çka thotë raporti i DASH-it?

Qeveria, thuhet në raport, ndërmori hapa për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje të të drejtave të njeriut, por nganjëherë nuk kishte qëndrueshmëri në veprime.

Shumë njerëz në qeveri, opozitë, shoqëri civile dhe media, raportuan raste të zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion ose duke vepruar pa u ndëshkuar.

Ekzekutivi ndonjëherë pezulloi, largoi shkelësit nga detyra ose transferoi të akuzuarit, dhe sektori i drejtësisë ndonjëherë ndërmori hapa për të ndjekur penalisht dhe ndëshkuar ata zyrtarë që kryen shkelje dhe krime.

Megjithatë, shumë zyrtarë të korruptuar vazhduan të mbajnë poste në sektorin publik.

Departamenti i Shtetit njoftoi se në Kosovë çështjet e rëndësishme të këtyre të drejtave përfshinin raporte të besueshme për kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet për dhunë gazetarëve korrupsionin serioz qeveritar dhe mosndëshkimin dhe krimet që përfshijnë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj pakicave etnike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore