Lajme

Qeveria në komunikim me QUINT-in për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjet serbe


Ilustrim

Serbia do të mbajë zgjedhjet presidenciale dhe nacionale me 3 prill, ndërsa po me këtë datë ajo po synon që të mbajë ato edhe në territorin e Republikës së Kosovës.

Mirëpo, qytetarët serbë të Kosovës e që kanë të drejtë vote edhe në Serbi, ende nuk e kanë të qartë nëse do mund të votojnë në Kosovë nëpër qendra të votimit, apo me postë dhe në Zyrën ndërlidhëse serbe në Prishtinë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se Qeveria është në komunikim të vazhdueshëm me vendet e QUINT-it për arritjen e një marrëveshje për zgjedhjet serbe të 3 prillit.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu

“Nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga Serbia drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të 3 prillit. Ne nuk synojmë e as dëshirojmë që t’ua pamundësojmë pjesëmarrjen në votim në këto zgjedhje qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”.

“Ndaj të dyjave këto do të sillemi me përgjegjësi dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me shtetet e QUINT-it për arritjen e një marrëveshjeje që ofron një zgjidhje të përshtatshme e që është në përputhje me vullnetin e mirë dhe në të njëjtën kohë me sundimin e ligjit dhe praktika të mira ndërkombëtare”, ka thënë zëdhënës i Qeverisë, Përparim Kryeziu për gazetën Koha Ditore.

Kryeministri i Kosovës dy muaj më parë ishte këmbëngulës në qëndrimet e tij se nuk do të lejoj mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë në emër të respektimit të Kushtetutës dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Ilustrim

Mirëpo, ai së fundmi kur është përballur me presionin ndërkombëtar për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe edhe në territorin e Kosovës, ka deklaruar se dëshiron ta respektoj Kushtetutën, por gjithashtu edhe të mos e pamundësojnë të drejtën e serbëve për të votuar.

“Ne dëshirojmë që në Kosovë të respektohet Kushtetuta, ligji dhe Rezoluta e 15 janarit të këtij vitit. Ndërkaq nuk duam që t’ua pamundësojmë qytetarëve të Kosovës, që mund të kenë edhe pasaportë të Serbisë, të drejtën e tyre të votës”, ka deklaruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore