Lajme

Qeveria miraton Projektligjin për ratifikimin e ujdisë IPA 2017


Qeveria e Kosovës

Në mbledhjen e 38-të me radhë të Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, u shqyrtua dhe u miratua Projektligji për Ratifikimin e Amendamentimit të Marrëveshjes Financiare për IPA 2017, pjesa e parë, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Qëllimi i këtij Projektligji është ratifikimi i ‘Amendamentit Nr.1 të Marrëveshjes financiare për IPA 2017, pjesa e parë, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian’”, thuhet në komunikatën për media të Zyrës së Kryeministrit.

Sipas njoftimit, “Amendamenti ka për qëllim rialokimin e 2.3 milionë eurove të pashpenzuara dhe kursimeve, në kuadër të Instrumentit të Përafrimit me Acquis të Bashkimit Evropian dhe mundësinë e kontraktimit të kësaj shume në kontratat ekzistuese brenda afatit kontraktual prej 3 viteve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes”.

Ndryshe më 22 korrik, me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Projektligjin për ratifikim e Marrëveshjes financiare për Instrumentin e Asistencës së Para-Aderimit – IPA 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pak minuta para se të miratohet ky projektligj pati treguar se kjo marrëveshje “ngërthen në vete fonde financiare në vlerën prej 90.2 milionë euro si grante nga BE-ja”.

“Marrëveshja financiare është përfunduar vitin e kaluar dhe ndryshimet e fundit janë arritur gjatë muajit prill të vitit 2020. Pas marrjes së nismës është nënshkruar më 24 gusht të vitit 2020 nga Bashkimi Evropian dhe nga Qeveria e Kosovës. Ky projektligj nuk është përcjellë më tutje dhe për më tepër pas shpërbërjes së kuvendit është kthyer mbrapa për tu miratuar edhe njëherë në qeveri. Qeveria e Kosovës, me vendimin e saj të datës 22 qershor 2021 e ka miratuar këtë projektligj dhe tani kalon për ratifikim”, kishte thënë Bislimi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Ky projektligj përveç pozitës mori pëlqimin edhe të subjekteve politike të opozitës.

IPA është një instrument financiar i shfrytëzuar nga BE-ja, i cili ka për synim të ndihmojë vendet që janë në procesin e anëtarësimit në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore