Lajme

Kosovë: Kuvendi miraton Marrëveshjen IPA 2020


Kuvendi i Kosovës

Me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikim e Marrëveshjes financiare për Instrumentin e Asistencës së Para-Aderimit – IPA 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ky projektligj përveç pozitës mori pëlqimin edhe të subjekteve politike të opozitës.

IPA është një instrument financiar i shfrytëzuar nga BE-ja, i cili ka për synim të ndihmojë vendet që janë në procesin e anëtarësimit në BE.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka thënë se grupi parlamentar i kësaj partie e përkrahë këtë marrëveshje “sepse e kuptojmë rëndësinë e saj”.

“Është një vlerë prej 90.2 milionë euro që BE-ja parasheh në sektorë të ndryshëm të cilat i ka të destinuara. Ne kemi thënë se pavarësisht dallimeve që i kemi do të jemi pro kësaj marrëveshje financiare ndërmjet Kosovës dhe BE-së”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pavarësisht kritikave të bëra ndaj Qeverisë që dikur kur ishin në opozitë sipas deputetes Marigona Geci, nuk i kishin përkrahur marrëveshjet ndërkombëtare, ka thënë se LDK do të jetë pro këtij vendimi.

“Marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës nuk janë as të pozitës e as të opozitës, por janë në interes të qytetarëve. Pavarësisht që LVV nuk i ka mbështetur nuk i ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare, ne nuk do të duhej të veprojmë njëjtë si ju. Edhe pse e dini që marrëveshjet ndërkombëtare janë në të mirë të qytetarëve, ju nuk i votonit ato. Ndryshe nga ju, ne votojmë për këto marrëveshje”, ka thënë Geci.

Ndërkaq, deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se edhe kjo parti do të mbështesë këtë marrëveshje.

“AAK do të mbështesë këtë marrëveshje e cila ka një rëndësi të veçantë, e cila prekë sektorët në raport me sundimin e ligjit”, ka thënë Tahiri.

Mirëpo teksa është deklaruar si shef i grupit parlamentar të AAK-së, Tahiri drejtuar Bislimit, ka thënë se si qeveri “nuk e keni themeluar ministrinë e integrimit të cilën e keni premtuar gjatë fushatës zgjedhore. Si qeveri jeni qeveria me aktivitetin më të dobët pa asnjë plan sa i përket agjendës së integrimit evropian. Janë katër muaj krejt çka dëgjojmë nga ju është komunikimi rreth dialogut”.

Zëvendëskryeministri i Ksoovës, Besnik Bislimi, pak minuta para se të miratohet ky projektligj ka treguar se kjo marrëveshje “ngërthen në vete fonde financiare në vlerën prej 90.2 milionë euro si grante nga BE-ja”.

“Marrëveshja financiare është përfunduar vitin e kaluar dhe ndryshimet e fundit janë arritur gjatë muajit prill të vitit 2020. Pas marrjes së nismës është nënshkruar më 24 gusht të vitit 2020 nga Bashkimi Evropian dhe nga Qeveria e Kosovës. Ky projektligj nuk është përcjellë më tutje dhe për më tepër pas shpërbërjes së kuvendit është kthyer mbrapa për tu miratuar edhe njëherë në qeveri. Qeveria e Kosovës, me vendimin e saj të datës 22 qershor 2021 e ka miratuar këtë projektligj dhe tani kalon për ratifikim”, ka thënë Bislimi.

Ndërkaq, ai ka treguar sektorët që mbulohen nga kjo marrëveshje.

“Demokracia dhe qeverisja që kap shumën e 10.6 milionë eurove, sektori i sundimit të ligjit dhe të drejtave fundamentale kap vlerën e 10 milionë eurove që janë 0.3 euro bashkëfinancim, sektori i mjedisit dhe veprimeve klimatike, sektori i katërt është konkurrueshmëria dhe inovacioni, arsimi, punësimi dhe politikat sociale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore