Shqipëria

Qeveria miraton projektligjin e Skavicës


Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin, i cili autorizon kompaninë Bechtel të projektojë dhe të ndërtojë hidrocentralin e parë të kaskadës së Drinit.

Ky projekt mori dritën jeshile vitin e kaluar, më 3 tetor, pas nënshkrimin të marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për financimin e projektit.

Sipas projektligjit, janë të përcaktuara afatet që i lihen në dispozicion kompanisë përkatëse për të sjellë një propozim mbi projektin.

Aty janë të përcaktuara fazat për negocim, si dhe për zbatimin e tij.

Skavica është pjesë e projektit origjinal në kaskadën e Drinit dhe pritet të shërbejë si rregullues.

Kostot e vlerësuara deri në fazën fillestare për këtë projekt janë respektivisht 308 milionë euro për alternativën me digë të ulët dhe gati 510 milionë euro për alternativën me digë të lartë.

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit të tij në Fletoren Zyrtare.

Skavica dhe etapat e saj

Hidrocentrali do të jetë i aksesueshëm si nga Rruga e Kombit, ashtu dhe nga Rruga e Arbrit.

Benefitet e këtij projekti do të prekin fusha të ndryshme, si: peshkimi, turizmi edhe punësimi.

Më herët, kryeministri Edi Rama u shpreh se kontributi i këtij projekti në vlerat ekonomike shqiptare do të jetë shumë i lartë.

Në maj të 2020-ës, kryeministri tregoi se ky hidrocentral do të ndërtohej me fondet e qeverisë shqiptare, por më pas vendimi ndryshoi.

Hidrocentrali i Skavicës është vepra energjitike më strategjike në vend dhe rezervuari ujor më i rëndësishëm i Shqipërisë me rreth 7 miliardë m3 ujë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore