Lajme

Qeveria “kalimtare” bullgare ka figura pro-ruse, thotë Ruslan Trad


Studiuesi i Sigurisë pranë Këshillit Atlantik, Ruslan Trad ka hedhur hije mbi caktimin e qeverisë së përkohshme në Bullgari nga presidenti Rumen Radev.

Shkak për këtë, sipas studiuesit, është bërë emërimi i disa figurave pro-ruse në krye të vendit.

Lajmi u bë i ditur nga Ruslan Trad, duke cituar statusin e tij në median sociale “Twitter”.

“Kabineti i përkohshëm i Bullgarisë i emëruar nga presidenti përbëhet nga figura pro-ruse, të cilët tashmë kanë sinjalizuar se një kompromis me Gazprom është i mundur”, u shpreh fillimisht ai.

Studiuesi shkruan madje se Radev u konfirmua si “miku më i mirë i Moskës në Sofje” dhe përfitoi nga largimi i qeverisë së Petkov-it.

Presidenti bullgar deklaroi të martën se përparësia e tij kryesore nuk ishte të tërhiqte Sofjen në një konflikt ushtarak.

Lajmi u bë i ditur nga portali “News.bg”, duke cituar fjalën e kreut të shtetit gjatë prezantimit të qeverisë së re kalimtare.

Një ditë më parë, Radev caktoi 2 tetorin si datën për zgjedhjet e katërta parlamentare në vend.

Këto, në më pak se dy vjet pas rënies së qeverisë së koalicionit të kryeministrit reformist Kiril Petkov në qershor.

Kabineti i përkohshëm pritet të mbajë një qëndrim më të butë ndaj Moskës, i cili mund të përfshijë përpjekjet për të rivendosur importet e gazit rus.

Ai gjithashtu mund të përpiqet të rregullojë marrëdhëniet me Moskën pasi qeveria Petkov dëboi 70 diplomatë rusë me dyshimin për spiunazh.

Kriza politike në Bullgari filloi në qershor, kur partia populiste “Ka edhe njerëz të tillë” u largua nga koalicioni qeverisës me katër parti.

Partia opozitare GERB, e udhëhequr nga ish-kryeministri Bojko Borisov, inicioi një votim mosbesimi dhe qeveria e Kyril Petkov u shkarkua.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore