Shqipëria

Qeveria indiane bllokon aktivitetin e organizatës së Nënës Terezës


Autoritetet indiane kanë refuzuar vazhdimin e veprimtarisë për organizatën bamirëse të themeluar nga Nënë Tereza, e cila merr fonde të huaja.

Organizata “Misionarët e Bamirësisë” ka mijëra murgesha që koordinojnë projekte, gjithashtu dhe shtëpi për fëmijë të braktisur, shkolla dhe klinika.

Në Ditën e Krishtlindjes, Ministria e Brendshme e Indisë ka bërë të ditur se nuk do të lejojë regjistrimin e kësaj organizate, për shkak të “të dhënave negative” që zotëron.

Kritikuesit që mbajnë këtë linjë të ashpër e kanë akuzuar edhe më parë këtë organizatë, se “përdor programet e saj për t’i konvertuar njerëzit në fenë e krishterë”.

Organizata bamirëse i ka hedhur poshtë këto akuza.

Në një deklaratë të publikuar më 27 dhjetor, organizata ka konfirmuar se aplikimi nuk është pranuar dhe se nuk do të ketë llogari aktive për fondet e huaja “derisa të zgjidhet kjo çështje”.

Ministrja në Bengalin Perëndimor, Mamata Banerjee, ka kritikuar vendimin e qeverisë indiane për bllokim të llogarive të organizatës, prej nga pranon fonde të huaja.

Mirëpo Qeveria dhe shteti kanë mohuar se llogaritë janë bllokuar.

Organizata bamirëse, me rezidencë në Kolkata, është themeluar më 1950 nga Nënë Tereza.

E lindur në vitin 1910, nga prindër shqiptarë, Agnesë Gonxhe Bojaxhiu u rrit në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, që në atë kohë ishte pjesë e Perandorisë Osmane.

Ajo ka qenë fëmija më i vogël i Nikollë dhe Dranafile Bojaxhiut.

Familja e saj ka pasur prejardhje nga Prizreni dhe kanë qenë katolikë të devotshëm.

Rrugëtimin si murgeshë, Nënë Tereza e nisi në Kishën e Letnicës në Kosovë, në moshën 17-vjeçare. Dy vjet më vonë, ajo udhëtoi drejt Indisë.

Organizata e saj katolike e bamirësisë është ndër më të njohurat në botë.

Kryeministri Narendra Modi synon të bllokojë fondet e huaja për organizatat e bamirësisë dhe organizata tjera joqeveritare me bazë në Indi.

Vitin e kaluar, kufizimet kanë çuar në bllokim të llogarive bankare të organizatave Greenpeace dhe Amnesty International.

Ndërkohë është raportuar edhe për sulme ndaj minoriteteve fetare nëpër Indi.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore