Lajme

Qeveria ia ndan 1.1 milion euro Trepçës


Qeveria e Kosovës ka ndarë 1,13 milion për ndërmarrjen publike Trepça Sh.A (Shoqëria aksionare).

Lajmi është bërë i ditur nga zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku.

Përmes një postimi në Facebook, Mjeku ka thënë se Trepça Sh.A. “do të përfitojë edhe 1,13 milion euro nga gjithsej 3 milionë euro subvencione që Ministria e Ekonomisë ka nda për investimet dhe rimëkëmbjen e ndërmarrjes sivjet”.

Ai njoftoi se marrëveshja është bërë këtë të premte me kryeshefin në detyrë të Trepçës, Enis Abdurahimin, dhe drejtorin për ndërmarrjet publike, Valon Prebreza.

“Trepça si shoqëri aksionare po ristrukturohet për me i ngritë të hyrat, me i ulë shpenzimet dhe me u dhënë minatorëve pagë të dinjitetshme. Ndërmarrja pritet shpejt të miratojë një rregullore të pagave, që kompenson punëtorët në përpjesëtim me realizimin e planit të prodhimit dhe të hyrave si dhe i shpërblen me bonus kur e tejkalojnë planin”.

Ndërkaq, zëvendësministri i Ekonomisë pohoi se Qeveria e Kosovës “po i jep Trepçës 20 milionë euro hua për investime në makineri bashkëkohore dhe qëndrueshmëri në punë, çka do të rritë prodhimin dhe efiçiencën e minierave”.

Ndryshe, minatorët e Trepçës janë duke protestuar që nga mëngjesi i së enjtes, për shkak të mos ekzekutimit të pagave në mënyrë të rregullt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore