Lajme

Qeveria gjermane konfirmon për Albanian Post se Sarrazin ka ardhur në Kosovë – “Do të zhvillojë takime politike dhe vizitë në Manastirin e Deçanit”


Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin

Zyra për Media e qeverisë federale gjermane për Albanian Post ka konfirmuar se i dërguari i posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, gjendet për vizitë zyrtare në Kosovë.

Një zëdhënës i qeverisë federale për AP tha se emisari gjerman do të zhvillojë një sërë takimesh politike, takime me shoqërinë civile, do të vizitojë Manastirin e Deçanit si dhe në një fermë organike në Kosovë.

“Po e konfirmoj se zoti Sarrazin tashmë është në Kosovë. Do të qëndrojë deri të shtunën. Në agjendën e tij janë një sërë bisedimesh politike, me shoqërinë civile, dhe gjithashtu do të vizitojë Manastirin e Deçanit. Zarrazin do të vizitojë edhe një fermë organike. Pra, ai ka një numër të madh takimesh duke nisur prej bisedimeve politike e deri në vizitë të një ferme organike”, tha zëdhënësi gjerman për Albanian Post.

Sarrazin vjen në Kosovë pas një vizite në Beograd, ku u takua edhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Gjithashtu ai në një konferencë të mbajtur në Beograd foli për prospektin e zgjerimit t ë BE-së me Ballkanin Perëndimor dhe domosdoshmërinë e saj.

Procesi i zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor do të fuqizohej me nisjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë, si dhe liberalizimin e vizave për Kosovën, ka thënë emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Gjermania dëshiron anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE, e jo “njëfarë partneriteti” me Ballkanin Perëndimor , tha emisari gjerman në konferencën “Rigjallërimi i vlerave të BE-së” në Beograd.

“BE ka dhënë parametrat përmes të cilës do të ndodh unfikimi, edhe nëse nisim nga pozicione të ndryshme. Ky është momenti i përsosur që Ballkani Perëndimori t’i bashkohet këtij klubi. Është e qartë se BE nuk mund të ketë sukses pa zgjerim të suksesshëm në rajon”, tha Sarrazin.

“Askush nuk do besojë në rolin e BE-së në të ardhmen, në betejën mes demokracive dhe regjimeve autoritare, nëse nuk jemi të aftë të kemi sukses në zgjerimin me Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

Emërimi i Sarrazin emisar për Ballkanin Perëndimor

Më 18 shkurt të këtij viti, ish-deputeti i Bundestagut nga radhët e partisë së Gjelbër, Manuel Sarrazin, ishte emëruar si i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimorë.

Manuel Sarrazin, i cili me profesion është historian, ka qenë anëtar i Bundestag-ut nga viti 2008 deri në vitin 2021.

Ai ishte President i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), e cila është e specializuar në marrëdhëniet e Gjermanisë me rajonin.

Qeveria aktuale gjermane u formua në dhjetor të vitit të kaluar nga Partia Social Demokrate, Partia Demokratike e Lirë dhe të Gjelbërit, të cilat kanë marrë në drejtim Ministrinë e Jashtme gjermane.

Gjermani pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, është shteti i tretë që ka emëruar të dërguar special për Ballkanin Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore