Kosova

Qeveria e Kosovës e konfirmon për Albanian Post: Kurti javën e ardhshme shkon në Bruksel, s’takohet me Vuçiç-in


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të ketë takime me përfaqësues të Bashkimit Evropian në Bruksel gjatë javës së ardhshme.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, drejtoresha për komunikim në zyrën e Kurtit, Valbona Mehmeti.

Por, ajo e ka mohuar se Kurti do të takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që po ashtu pritet të ketë takime me përfaqësues të BE-së në javën e ardhshme.

“Kryeministri Albin Kurti do të ketë një vizitë zyrtare në Bruksel kah mesi i javës së ardhshme ku do të takohet me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian. Nuk do të ketë takim mes kryeministrit Kurti dhe zotit Vuçiç”, tha Mehmeti.

Kosova dhe Serbia s’janë takuar në kuadër të dialogut qysh nga muaji shtator, kur në Bruksel u patën takuar ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe Vuçiçi.

Kurti gjatë fushatës parazgjedhore pati thënë se “dialogu me Serbinë s’është as në 3-4 prioritetet e para të qeverisë së tij”.

Dhjetë ditë më parë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështjes të Sigurisë, Jose Borrell, në letrën e urimit për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, i shkroi se “unë e mirëpres angazhimin tuaj në mënyrë konstruktive në dialogun Beograd-Prishtinë pa vonesa”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore