Biznes

Qeveria e Draghi-t miraton paketën prej 14 miliardë eurosh të ndihmës energjetike


Për të ndihmuar kompanitë nga kostot në rritje, kabineti italian ka miratuar një paketë ndihme energjetike prej 14 miliardë eurosh.

Kjo është lëvizja më e fundit e kryeministrit Mario Draghi përpara zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen javën e ardhshme.

“Nuk do të ketë nevojë për huazim shtesë, sepse do të përdorim hyrjet shtesë tatimore nga muajt e fundit, të cilat janë nxitur nga rritja e inflacionit”, ka thënë Draghi.

Masat përfshijnë kreditë që nga tetori kompanitë mund t’i përdorin kundrejt faturës së tyre tatimore që varion nga 25 për qind deri në 40 për qind të kostove të tyre të energjisë, në varësi të nevojave të tyre.

Ndërkohë sistemi aktual i kredive do të zgjerohet.

Italia ka shpenzuar rreth 66 miliardë euro në tetë paketa të ndryshme për t’u siguruar që familjet dhe qytetarët të strehohen nga më e keqja e krizës së energjisë dhe çmimeve.

Të gjitha pa kërkuar hua shtesë nga Parlamenti, ka treguar ministri i Financave, Daniele Franco.

Sipas tij, ekonomia italiane po qëndron dhe nuk do të jetë në recesion në tremujorin e tretë. Deficiti do të mbetet në 5.6 për qind siç ishte parashikuar.

Më 25 shtator votuesit shkojnë drejt qendrave të votimit ashtu si rritja e kostove të energjisë dhe rritja e normave të interesit hedhin hije mbi dimrin e ardhshëm.

Zëra të tjerë të miratuar përfshijnë garancitë shtetërore për kreditë e kërkuara nga kompanitë që kanë probleme likuiditeti për shkak të shpenzimeve më të mëdha dhe një zgjatje deri në nëntor të një ulje tatimore për karburantin që synon uljen e kostos.

Sakaq, qeveria ka lënë mënjanë para edhe për sektorin e bujqësisë, shkollat, sportin dhe kulturën, transportin publik dhe sektorin e shëndetësisë.

Marrë nga “Bloomberg”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore