Shqipëria

Qeveria cakton 120 milionë euro për rrugët nga Tiranë-Durrës te Ksamili


Këtë javë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur procedurat për dhjetë kontrata rrugësh.

Një pjesë e mirë e tyre janë lote të të njëjtit projekt.

Fondi limit total për këto procedura është 12.3 miliardë lekë, apo rreth 120 milionë euro.

E para është procedura që ka në objekt të saj “Rikonstruksion i rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa, Loti 1” me një fond limit 754 milionë lekë.

Ky projekt synon rehabilitimin e plotë të një prej rrugëve me gjendjen më problematike ndër vite dhe që do të shërbejë si rrugë alternative për Durrësin.

Kurse tre procedura të tjera lidhen me projektin “Zgjerimi i rrugës Elbasan-Qafë Thanë” që aktualisht është duke u punuar në lotet 1-4 teksa tashmë janë hapur procedurat për lotin 5 me një fond limit 2.49 miliardë lekë.

Ndërkohë, loti 6 me fond limit 2.48 miliardë lekë, loti 7 me fond limit 2.47 miliardë lekë dhe loti 8 me 2.49 miliardë lekë.

Po ashtu një projekt tjetër është zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës.

ARRSH ka hapur tanimë tenderin për dy faza të kësaj rruge ku për fazën e parë të zgjerimit është vendosur një fond limit 1.66 miliardë lekë.

Ngjashëm është përcaktuar edhe për fazën e dytë.

Kompanitë do të kenë afat deri më 8 maj për të dorëzuar ofertat e tyre. Pas lidhjes së kontratës ato do të kenë në dispozicion 24 muaj për të përfunduar, zgjerimin e autostradës, e cila pritet të ketë gjerësi 35.1 metra 18.6 metra që është aktualisht.

Kjo pasi do të shtohen nga dy korsi në secilën anë dhe shpejtësia e lejuar parashikohet deri në 140 km në orë.

Projekt tjetër është ai për rrugën Berat-Ballaban loti 1 me një fond limit 1.9 miliardë lekësh dhe loti 2 me një fond limit 2.25 miliardë lekë që parashikohet të mbulojnë ndërtimin e rrugës.

Ndërkaq, një tjetër projekt shtrihet në Jug të vendit dhe lidhet me zgjerimin e rrugës së Ksamilit për të cilin është parashikuar një fond limit 1.66 miliard lekë.

Mbyllja e afatit për dorëzimin e ofertave nga ana e operatorëve është lënë data 8 maj 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore