Lajme

Qeveria anulon një vendim që e miratoi vetë – ka të bëjë me dhënien e një prone për Trepçën


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës në mbledhjen 196-të, e cila është mbajtur në mënyrë elektronike, ka anuluar vendimin të cilën e kishe miratuar vetë më 24 janar e që kishte të bënte me aprovimin e kërkesës së Ndërmarrjes Publike “Trepça” për marrje në shfrytëzim të një prone në Komunën e Leposaviqit, e cila menaxhohej nga Agjencia Pyjore e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për anulimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 14/186 të datës 24 janar 2024”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, ku nuk jepen detaje shtesë për arsyen e anulimit të vendimit në fjalë.

Gjatë mbledhjes elektronike, siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit është miratuar edhe vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore për mbështetje të Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

“Vlera e mbështetjes është 31 mijë e 530 euro me qëllim të përkrahjes së aktiviteteve avokuese për çështjen e popullit shqiptar të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, para institucioneve të Bashkimit Evropian, dhe kompensimit të mjeteve të zvogëluara nga Qeveria e Serbisë përmes ndarjes buxhetore për Këshillin Kombëtar Shqiptar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore