Shqipëria

Qerret/ Gjenden të vdekur 4 turistë rusë në një hotel


Një ngjarje e rëndë është shënuar natën e 15 tetorit në Qerret të Kavajës, ku mendohet se brenda saunës së një hoteli, kanë ndërruar jetë katër shtetas rusë, të cilët ishin klientë aty.

Lajmin e ka konfirmuar zyrtarisht edhe policia, duke e specifikuar se gjetja e tyre është bërë në orën 22:20.

Dy gra dhe dy burra të vdekur, është bilanci i ngjarjes së rëndë.

Shtetasit rus, K. S, 31 vjeçe, N. L, 58 vjeç, N. A, 37 vjeçe dhe S. A, 60 vjeç, në rrethana ende të paqarta, janë gjendur brenda saunës të pajetë.

Policia ka njoftuar se një kontroll i imtësishëm i vendngjarjes po ndodh aktualisht.

Dyshimet e para bien mbi asfiksimin e tyre. Gjithsesi, pista të tjera ende nuk janë përjashtuar, ndërsa mendohet se katër turistët mund të kenë qenë edhe nën efektin e alkoolit.

Disa punonjës të personelit të hotelit, janë shoqëruar sakaq në komisariat për të dhënë dëshminë e tyre. Po ashtu, është lajmëruar edhe përfaqësia diplomatike ruse mbi ngjarjen.

Lajmi në përditësim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore