Kosova

“Qeni paska më shumë rendësi për ju se ushtari i FKS-së, për FSK-në tender i hapur më i liri, për ushqim të qenve tender i mbyllur, si bëhet kjo” – Kica-Xhelili me akuza të rënda për deputetët e VV-së


Doarsa Kica-Xhelili

Doarsa Kica Xhelili, deputetet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ua ka bërë një akuzë të rëndë deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje kur u ka thënë se ata më të rëndësishme i kanë trajtuar kafshët se sa ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), derisa ka folur në Parlamentin e Kosovës për kontratat e shumta njëburimore të Qeverisë së VV-së.

“A e dini diçka për ushqimin e qenve, sepse nëse një ushtar i Kosovës ka aq rendësi sa ta bëni tenderin e hapur, të zgjedhet më i liri, qeni paska më shumë rënësi, sepse e keni mbyllur tenderin dhe e keni bërë me procedurë të negociuar dhe prapë ndjeheni mirë. Pse? Pse keni problem të votoni komisionin, nëse keni justifikim për gjithçka, votojeni komisionin. Këtë dëshirë kam, të demantohem, sepse ato para janë edhe taksat e mia”, tha ajo.

Ajo u ka thënë atyre se i vjen keq për ta dhe pozicionin e tyre aktual, meqë edhe po refuzojnë të merren me kontratat një burimore, kontrata që qeveria i jep pa kurrfarë gare, por e përzgjedh një kompani për ta shpërblyer.

“Nuk kam si të mos ndjehem keq për deputet e Vetëvendosjes, sepse nga momenti kur kërkon votë në emër të drejtësisë e luftimit të hajnisë, vjen edhe justifikohesh në emër të së kaluarës. Po nuk iu shpërlanë e kaluara”, pohoi ajo.

“Nuk mundeni me fol për të kaluarën e të vini të thoni aman në lerni edhe ne të vjedhim”.

Kica-Xhelili ua kujtoi deputetëve të Vetëvendosjes se për “3 vjet keni organizuar protesta për 600 mijë euro për kontrata një burimore tash nuk e keni problem 209 milionë euro”.

“Problemi s’paska qenë si janë bërë kontratat, por kush i ka bërë. Pse po iu pengon komisioni parlamentar, ejani në komision hetimor, jepni dëshmitë që i keni dhe justifikoni kontratat njëburimore. Po ju i rezistoni dhe kjo flet shumë për juve”, përfundoi deputetja e LDK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore