Shqipëria

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpall 2023-shin Vitin e Petro Markos


Viti 2023 është shpallur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë si Viti i Petro Markos.

“Babait i pëlqente noti. Sa herë shkonim në Himarë më kujtohet kur isha e vogël që shihja plot frikë kur ai zhytej e humbiste në det, deri sa të shfaqej. Më dukej sikur do të humbiste, por ai shfaqej i buzëqeshur”.

Kështu ka thënë Aranita Marko, e bija e shkrimtarit, e cila ka analizuar në mënyrë metaforike historinë e Petro Markos në letërsinë shqipe.

Paçka censurës dhe përjashtimit që veprat e tij kanë pasur në kohë nëpër biblioteka, ai shfaqet gjithnjë më i fortë.

“Ai është si shkëmbi, shfaqet më i fortë”, ka shtuar Aranita.

Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, ka treguar se përgjatë vitit do të nderohet kontributi i tij në letrat shqipe, përmes aktiviteteve të ndryshme, leximeve, konferencave, ekspozitave, botimeve në Shqipëri dhe Kosovë.

“Në vitet 1950-1960, Petro Marko ishte romancieri më popullor dhe vazhdoi të ishte ndër më popullorët, edhe kur romanet e tij ishin mbyllur në biblioteka si të papërshtatshme”, ka treguar ajo.

Sipas Bardhylit, koha e leximit të tyre, për shkak të shndërrimeve rrënjësore të horizontit të pritjes, është e ndarë në dy periudha: me censurë dhe pa censurë.

“Fati i familjes Marko është ndoshta nga më tragjikët në historinë e shkrimtarëve të ish vendeve komuniste”, ka vijuar ajo.

Sakaq, Pirro Misha, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, ka treguar se ky është një rast për të nderuar një figurë të lartë të letërsisë shqipe, i cili nuk ka pasur vëmendjen e merituar.

Për shkrimtarin folën dhe kritikët Behar Gjoka, Ben Andoni, shkrimtari Ylljet Alicka.

Petro Marko është një ndër figurat e rëndësishme të letërsisë shqipe, i njohur më së shumti me romanet “Hasta la vista” dhe “Nata e Ustikës”.

Pas viteve ‘90 u botua dhe libri i tij autobiografik “Intervistë me vetveten”, i lënë në dorëshkrim nga vetë shkrimtari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore