Lajme

Putin ndërmjetëson takimin e parë midis udhëheqësve të Azerbajxhanit dhe Armenisë


Presidenti rus , Vladimir Putin ndërmjetësoi takimin e parë midis udhëheqësve të Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Takimi mes krerëve të shtetit ndodhi për herë të parë që nga fillimi i luftës mbi rajonin e Nagorno-Karabakut vitin e kaluar.

Në fokus të takimit ishte një përpjekje për të zgjidhur problemet që rrezikojnë marrëveshjen që i dha fund konfliktit.

Tensionet mes dy vendeve vazhdojnë. Ato janë shoqëruar me luftime, të burgosur mes palësh dhe mosmarrëveshje se si do të funksionojë korridori i Nakhchivan-it, republikë autonome në Azerbajxhan.

Putini deklaroi gjatë takimit se marrëveshja e armëpushimit e nëntorit në 2020 po zbatohej.

Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, nuk pranuan të shtrëngonin duart.

Marrëveshja e armëpushimit shkaktoi protesta në Armeni kundër Pashinyan-it. Kundërshtarët e tij politikë i kanë kërkuar dorëheqjen.

Aliyev e ka konsideruar fitoren si një korrigjim historik i gabimeve.

Ai mbajti një paradë fitoreje muajin e kaluar me Presidentin turk Tayyip Erdogan. Konflikti mundësoi rritjen e ndikimit të Turqisë në Kaukazin e Jugut.

Kjo zonë ka qënë pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik dhe nën ndikimin e Rusisë. Me ndërmjetësimin e marrëveshjes dhe praninë e trupave ruse paqeruajtëse në terren, Putini ka zvogëluar ndikimin turk në rajon dhe ka zgjeruar praninë ushtarake ruse.

Nga takimi mes palëve, Rusia pret të fuqizojë më shumë ndikimin e saj në rajon.

Konflikti për rajonin e Nagorno-Karabakh-ut

Rajoni i Nagorno-Karabakhu-t së bashku me shtatë rajone të tjera fqinje ishte pushtuar nga forcat armene në një luftë në fillim të viteve 1990.

Luftimet mes dy shteteve ndodhën në fund të shtatorit në 2020.

Konflikti i armatosur shkaktoi më shumë se 5 mijë e 600 të vrarë nga të dyja palët.

Një marrëveshje paqeje e ndërmjetësuar nga Rusia bëri të mundur përfundimin e konfliktit pas gjashtë javë luftimesh.

Azerbajxhani rimorri pjesën më të madhe të rajonit separatist së bashku me zonat fqinje përmes marrëveshjes së arritur./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore