Lajme

Pushimet përfunduan, shtatori erdhi – Opozita s’e ka ndërmend të organizojë protesta


Foto: Albanian Post

Skandalet dhe aferat e qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, gjatë kësaj vere nuk kanë munguar, madje ato kanë qenë pothuajse të përditshme, ndër të cilat ajo e keqpërdorimit të rezervave shtetërore, por edhe dështimi i qeverisë për t’i siguruar tekstet mësimore për nxënësit.

Përkundër se aferat dhe skandalet e ekzekutivit kanë qenë të “nxehta” gjatë kësaj vere, opozita nga ana tjetër, përveç ndonjë statusi në Facebook, nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim as institucional, e as joinstitucional për këto çështje.

“Shihemi në shtator” ishte fraza që opozita e përdorte gjatë kësaj kohe, përderisa aferat dhe skandalet qeveritare po vlonin.

Të kontaktuar nga Albanian Post, Blerta Deliu-Kodra nga PDK, Arben Gashi nga LDK dhe Shemsedin Dreshaj nga AAK, kanë bërë me dije se përveç rrugëve institucionale, pra krijimin e komisioneve hetimore parlamentare dhe thirrjen e ekzekutivit në interpelanca, nuk kanë paraparë veprime tjera, si protesta apo diçka të ngjashme.

Një seancë e jashtëzakonshme parlamentare për të hënën e paralajmëroi deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ku bëri me dije se tanimë opozita është duke i grumbulluar nënshkrimet e nevojshme për t’i mbledhur deputetët që të diskutojnë çështjen e dështimit të qeverisë për t’i siguruar tekstet mësimore për nxënësit.

“E kemi parë shumë të nevojshme që ta trajtojmë si aktualitet edhe për mënyrën se si qeveria ka vendosur t’ua sigurojë mjetet financiare prindërve përmes rimbursimit”, tha ajo për AP, duke shtuar se këto “mjete po duken se janë të pamjaftueshme për t’u siguruar librat shkollor”.

“Kjo do të jetë iniciativa e parë”, theksoi ajo, duke vazhduar të tregojë çështjet e tjera që do t’i ngrisin.

Pas kësaj, Deliu-Kodra nënvizoi se do të kërkojnë llogari nga qeveria edhe për keqpërdorimet me rezervat shtetërore, pasi që përkundër se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë i pagoi të hollat, një pjesë e grurit, vajit dhe sheqerit të destinuar për rezerva shtetërore gjatë vitit 2022 ende nuk kanë ardhur në Kosovë.

“Do të shohim se si mund të organizohemi për komision hetimor, natyrisht këto do të jenë vetëm fillimi i iniciativave tona për të kërkuar llogaridhënie prej kësaj qeverie”, shtoi.

Llogaridhënie nga partia më e madhe opozitare nga ekzekutivi do të kërkojnë edhe për audio-incizimet që ishin publikuar nga mediat ku dëgjohej kryeshefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, duke koordinuar politika shtetërore me kriminelin dhe terroristin Milan Radojiçiç.

“Edhe për aferat me drogë, sulmet ndaj prokurorisë dhe gjykatave nga kjo qeveri që po shihet që në mungesë të argumentit të saj për t’u përballur me këto skandale është drejtuar në sulmet ndaj institucioneve të drejtësisë, opozitës e mediave”.

Sa i përket protestave, Deliu mohoi që të jetë diskutuar deri më tani në partinë e saj një opsion i tillë.

“Nuk e kemi diskutuar nëse do të kemi protesta, por kjo do të vjen gjatë rrugëtimit tonë politik. Nëse nevoja do të shtohet për të kërkuar llogaridhënie përmes protestave kjo do të shihet gjatë procesit”, pohoi, dhe shtoi se “do të kërkojmë përgjegjësi për secilin segment veç e veç deri në fund”.

Blerta Deliu-Kodra

Partia e dytë më e madhe në kuvend, LDK, përkatësisht shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Arben Gashi, tha në një bashkëbisedim me AP se në seancën e parë parlamentare të sesionit vjeshtor “do të kërkojmë krijimin e një komisioni parlamentar lidhur me skandalin e rezervave shtetërore”.

“Pastaj do të hetohen edhe rastet e tjera që kanë të bëjnë me aferat dhe korrupsionin që është bërë endemik në këtë qeveri”.

“Po ashtu, raportet me ndërkombëtarët, sanksionet ndaj Kosovës dhe krizat e ardhshme që priten të ndodhin shumë shpejt”, pohoi ai për AP, pa specifikuar konkretisht.

Njëjtë si kolegia e tij nga PDK, edhe Gashi përjashtoi mundësinë e organizimit të ndonjë proteste në një të ardhme të shkurtër.

“Po flas për çështjen e veprimeve parlamentare, për këto çështjet jo parlamentare mbetet të merret vendime në kryesinë e partisë, nuk jam unë përgjegjës për të dhënë përgjigje”.

Arben Gashi

Ngjashëm si të përfaqësuesve të PDK-së dhe atij të LDK-së, ishin edhe përgjigjet e deputetit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj.

Dreshaj, në një bisedë për AP, deklaroi se të gjitha veprimet e kësaj partie “do të jenë veprime politike në drejtim të promovimit të situatës në vend që nuk është e mirë”.

“Pra të vetëdijesohet opinioni dhe njëkohësisht përfaqësuesit e popullit në parlament që vendi nuk është në rrugë të drejtë”, pohoi.

Në një linjë me kolegët e tij ishte sa i përket organizimit të protestave – në këtë periudhë nuk bëhet fjalë për to.

“Momentalisht nuk jemi për veprime të dhunshme, por ato nuk përjashtohen nëse një situatë e tillë e neglizhimit të opozitës dhe situatës që po e shoqëron vendin vazhdon”.

Shemsedin Dreshaj

Skandalet qeveritare kanë qenë mjaft të shpeshta gjatë kësaj vere.

Njëra nga më të bujshmet ishte ajo e keqpërdorimit të rezervave shtetërore.

Kjo kishte bërë që në një aksion të Policisë së Kosovës, në mëngjesin e së premtes së 18 gushtit dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe një biznesmen të arrestoheshin për këtë çështje, të cilët u liruan të enjten e 31 gushtit.

Policia e Kosovës kishte arrestuar drejtorin e Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Garën dhe drejtorin e Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica, nën dyshimin për përfshirje në keqpërdorimin e rezervave shtetërore.

Mbi në të njëjtën dyshim, Policia e Kosovës, kishte arrestuar edhe Ridvan Muharremin, pronarin e furrës të shndërruar në restorant “Bukë e Zemër”, i cili është i afërt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Aksionet e Policisë së Kosovës ishin zhvilluar pas publikimit të disa audio-incizimeve nga mediumi “Nacionale”.

Po ashtu, një nga skandalet ishte edhe mossigurimi i teksteve mësimore për nxënësit.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, dështimin për t’i furnizuar nxënësit me tekste shkollore, vazhdimisht është munduar ta arsyetojë me premisën se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta për blerjen e librave të filloristëve.

Ata kanë pretenduar se me iniciativën që t’i ngarkojë prindërit me blerjen e teksteve shkollore e pastaj t’ua rimbursojnë paratë përmes platformës online “eKosova”, duke prishur kështu zinxhirin dekadash të blerjes së librave, po e kursejnë buxhetin e shtetit dhe po i denoncojnë çmimet e larta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore