Shqipëria

Puna është flori, ruaju Instagram-it se “ta vjedh”


Eh… Muajt e verës, rritja e temperaturave, pushimet e mrekullueshme, Instagram-i dhe në fund…? Rënia e produktivitetit.

E lexuat mirë, 25% e njerëzve ndihen më pak produktivë në zyrë gjatë verës, sipas një studimi të medias digjitale “Captivate Network”.

Ndaj, nëse e gjeni veten duke luftuar për t’u përqendruar në punë, sepse Instagram-i ju “fton” të shihni se ç’bëhet jashtë zyre dhe ndërkohë ëndërroni për udhëtimin tuaj të ardhshëm, nuk jeni vetëm.

Migena Hoxha është rasti tipik “i vuajtjes” së këtij fenomeni.

Për Albanian Post, ajo thotë se “e lashë punën që në muajin korrik, sepse nuk mundesha më kur shihja njerëz që postonin foto, teksa shijonin diellin në plazh, kurse unë qeshë e mbyllur në zyrë, duke përjetuar ankthin e përditshëm të mospërqendrimit”.

Hoxha është një profesioniste e re, e cila ka punuar në një media prestigjioze në Shqipëri, por me sa duket “ndikimi” i mediave sociale gjatë sezonit veror paska qenë më i fortë se “pasioni im për gazetarinë”.

“Captivate Network” e kreu studimin mbi 600 punonjës, në 14 zona kryesore të metrosë, në Amerikën e Veriut.

Studiuesit arritën në përfundimin se, gjatë muajve të verës, produktiviteti në vendin e punës bie me 25 për qind.

Po ashtu, pjesëmarrja në punë zvogëlohet me 19 për qind. Sa i përket mbylljes së projekteve, punonjësit kërkojnë 13 për qind më shumë kohë për ta mbyllur, ndërsa punëtorët janë 45 për qind më të hutuar.

Shifra 53% e punëtorëve rezulton alarmante, pasi raportuan një rënie të produktivitetit. Disa prej tyre kishin vënë re që niveli i stresit gjatë punës, në sezonin e verës, sa vinte e rritej.

Për Albanian Post këtë e konfirmoi edhe psikologia Jonida Haxhiu, e cila është përgjegjëse në Sektorin e Shëndetit Mendor në Institutin e Shëndetit Publik në Tiranë.

“Në ditët e sotme, fokusi në punë është ndikuar në mënyrë të pandërgjegjshme nga procese të vazhdueshme shpërqendrimi”.

Sipas psikologes, mediat sociale kanë ndikimin më të madh me njoftimet e vazhdueshme, sepse njerëzit përgjithësisht duan të jenë aktivë dhe të informuar shoqërisht.

Ajo shpjegoi sesi “jeta virtuale” ndikon tek ajo “reale”, duke radhitur një sërë arsyesh, si “përdorimi i vazhdueshëm i rrjeteve sociale, gjithashtu, pengon ruajtjen e vëmendjes dhe produktivitetit në punë”.

“Rreziku i humbjes së privatësisë, më i lartë”

Mediat sociale mund të duken intriguese, argëtuese dhe informuese. Megjithatë, nuk ka dyshim se është një rrezik i padukshëm.

Nëse nuk po respektohen rregullat, mund të krijojë probleme serioze në çdo moment.

Mesazhe të pakërkuara, fotografi të përpunuara, kërcënime, telefonata shqetësuese etj., mund të jenë rezultatet e gabimeve dhe pakujdesisë në mediat sociale.

Pra, rreziku i humbjes së privatësisë është real në çdo llogari, në të gjitha mediat sociale. “E keqja” mund të vijë nga një koleg, një menaxher apo edhe një i huaj.

Nga ana tjetër, në rast se një punonjës vuan nga probleme të tilla të privatësisë në mediat sociale, kjo mund të ndikojë edhe në produktivitetin në punë.

“Komunikimi mes kolegëve, më problematik”

Ndikimi tjetër i mediave sociale në vendin e punës është rritja e xhelozisë midis kolegëve, çka mund të ndikojë në komunikimin mes tyre. Rrjedhimisht, edhe në punë.

Kjo është veçanërisht e vërtetë për gratë, por edhe burrat nuk janë imunë ndaj ndjenjave të këtilla. Kjo nuk është vetëm e padëshirueshme, por gjithashtu, ul produktivitetin në punë.

Vitin e kaluar, në një përmbledhje botuar nga Shoqata Psikiatrike Botërore “The Online Brain”,  referohej se një nga gjërat e para që duhet të dini, është se Instagram-i rrit dopaminën – molekula në tru që na bën të lumtur.

Do të thoni ju “Sa mirë!”

Në fakt “jo”, sepse me dëshirën për të pasur më shumë ndjekje dhe pëlqime për të përforcuar dopaminën, aq më pak do ta ndiejmë efektin e saj. Kështu gjithnjë e më shumë koha në Instagram mund të jetë neurologjikisht e dëmshme.

A kemi thënë se të menduarit e thellë ishte stërvitje për trurin?

Me sa duket media sociale do të thotë që ne nuk po bëjmë asgjë nga këto. Në vend të kësaj, ne po marrim shumë informacion të nivelit sipërfaqësor, që nga gjetja e burimeve, deri te njoftimet e vazhdueshme.

Po shkakton një fenomen psikologjik të quajtur mbingarkesë informacioni dhe një studim i vitit 2019 zbuloi se kjo ndikon jashtëzakonisht në “sistemin motivues” të trurit tuaj.

Ironikisht, shumë informacion do të thotë që asgjë nuk po hyn në trurin tonë.

Rezultati? Mërzia dhe ankthi.

Sigurisht, thotë specialistët, të mos harrojmë se rrjetet sociale janë krijuar me këto procese neurologjike në mendje. Nuk është rastësi që Instagram-i rrit dopaminën tonë.

Media sociale u krijua për të përmbushur nevojat ekzistuese njerëzore, si ndërveprimi shoqëror dhe pranimi shoqëror.

Themeluesit e Instagram -it, Kevin Systrom dhe Mike Krieger, në thelb e mësuan këtë në Laboratorin Teknologjik Stanford Persuasive në Kaliforni.

Instagram-i përballë realitetit

“Instagram-i është sinonim i krahasimit”, thuhet në studim, por çfarë i bën trurit ndjenja e krahasimit? Përgjigjen e keni te vendimi i Migenës, për t’u dorëhequr, pasi krahasonte jetën e saj me atë çfarë shihte online.

Nuk ka asgjë për t’u trembur, por shumë për të reflektuar mbi faktin që jeta virtuale është ajo çfarë ne vendosim të shfaqim, ndërsa jeta reale jemi vetë ne.

Askush nuk i poston dështimet, madje edhe ato momente që duken të lumtura në media sociale fshehin një person thjesht të ulur në kolltuk, i cili pret konfirmimin tuaj.

Deri më tani, të gjitha dëshmitë brenda studimit tregojnë për faktin se ne po jetojmë në një distopi digjitale.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore