Lajme

Puna e Qeverisë së Kosovës në vitin e parë të mandatit të saj, diskutohet nga deputetët


Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen këtë të enjte në seancë plenare.

Seanca fillon nga ora 10:00 dhe për dallim nga herët e fundit në këtë takim nuk do të diskutohet për krijimin e komisionit hetimor për çështjen e energjisë elektrike në Kosovë.

Deputetët e kësaj legjislature do të debatojnë për punën e Qeverisë së Kosovës në vitin e parë të mandatit të saj.

Në rend dite, ashtu siç ka paralajmëruar zyrtarisht zyra e Administratës së Kuvendit do të shqyrtohet në procedurë të dytë, Projektligji për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Mbrojtjen e Konkurrencës.

Deputetët në këtë seancë do të diskutojnë edhe për ndryshim-plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.

Do të flitet për procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Fokus i veçantë do ti kushtohet edhe ndryshim plotësimit të Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2022 dhe do të emërohet komisioni për mbrojtjen e Konkurrencës.

Për vitin e parë të qeverisjes së Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës në qeverinë e quajtur “Kurti II” u diskutua edhe më 22 mars të këtij viti.

Para më shumë se një muaj, partitë opozitare në Kosovë kritikuan qeverinë e vendit për siç thonin mospërmbushje të zotimeve, në një vjetorin e krijimit të saj.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një konferncë për medie kishte deklaruar se qeveria Kurti 2, ka dështuar të sigurojë investime strategjike, të përmirësojë pozitën politike të Kosovës në rajon si dhe të zhvillojë marrëdhënie të qëndrueshme me aleatët strategjik.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kishte thënë se një nga dështimet e qeverisë është edhe qasja e saj ndaj dialogut me Serbinë.

Abdixhiku kritikoi qeverinë edhe për politizim të institucioneve publike.

Partitë opozitare në Kosovë ndër të tjera kritikuan qeverinë edhe për krizën energjetike, procesin e vetingut dhe keqmenaxhimin e pandemisë.

Qeveria e Kosovës u miratua me 22 mars të vitit të 2021 nga parlamenti i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme pas zgjedhjeve të 14 shkurtit në të cilat fituese doli lëvizja Vetëvendosje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore