Sport

PSG, Fabian Ruiz-i ëndrra e mesfushës


PSG-ja nuk ka mundur ta fitojë përsëri titullin e Ligës së Parë franceze dhe menjëherë është vënë në lëvizje për të plotësuar boshllëqet e hasura përgjatë sezonit. Drejtori Sportiv i parisienëve, Leonardo, po synon afrimin e një mesfushori të nivelit të lartë.

Sipas asaj që raporton e përditshmja sportive, “La Gazzetta dello Sport”, PSG-ja është e interesuar për të marrë shërbimet e mesfushorit spanjoll të Napoli-t, Fabian Ruiz-it.

Ruiz-i pretendohet se është lojtari i duhur për të forcuar ekipin e Mauricio Pechettino-s dhe për ta bërë sa më konkurues si në Ligën e Parë, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.

25-vjeçari u transferua në Itali, në verën e 2018, nga skuadra e Real Betis-it, për shifrën e 30 milionë eurove. Ndërsa, aktualisht falë paraqitjeve shumë të mira me të kaltrit, vlera e spanjollit është rritur në rreth 50 milionë euro. Me Napoli-n, Ruiz-i ka luajtur 128 ndeshje, nga ku ka shënuar 15 gola dhe ka dhuruar 10 asiste.

Problemi më i madh i PSG-së mbetet fakti që pas mesfushorit janë edhe Real Madrid-i me Barcelona-n dhe së fundmi raportohet se edhe Pep Guardiola e dëshiron te Manchester City.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore