Lajme

Pse s’duhet të tërhiqen 30% e Trustit sipas ekonomistëve?


Deputetët e Kosovës të enjten e 16 qershorit do ketë mundësin të votojnë pro ose kundër tërheqjes së 30 për qind të parave të Trustit nga qytetarët, siç ka propozuar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati potencuar se tërheqja e parave nga Trusti nuk e zgjidh problemin e qytetarëve.

Në një linjë me Kurtin janë edhe njohësit e çështjeve ekonomike.

Erton Bega dhe Safet Gërxhaliu kanë thënë për Albanian Post se tërheqja e një tjetër përqindjeje të parave nga Fondi Pensional është qasje e gabueshëm dhe kundërproduktive, por edhe do të bënte do të bënte që vetë fondi të humbas kuptimin e tij.

Erton Bega

Madje sipas Begës, tërheqja e parave nga Fondi i Kursimeve Pensionale vërtetë do të shtonte qarkullimin e parasë në treg, por kjo mund të jetë e dëmshme.

“Do të stimulonte rritjen e çmimeve edhe më shumë sepse do të ndikonte drejtpërdrejt në rritjen e kërkesës agregate për mallra dhe shërbime. Rritja e kërkesës automatikisht do të rriste çmimet dhe kjo do të ndikonte edhe më tej në zhvlerësimin e parasë, pra do të sillte efekt të kundërt në ekonomi”, theksoi Bega për AP.

Edhe për ekonomistin, Safet Gërxhaliu, tërheqja e kontributeve pensionale do të ketë ndikim negativ në aspektin social në vend, sepse do të varfërojë qytetarin.

“Kjo para e kursyer do të kanalizohet në import të produkteve nga vendet e rajonit edhe të Evropës dhe se kursimet e Trustit nuk do të mbeten si vlerë e shtuar në Kosovë”, ka thënë Gërxhaliu për AP.

Safet Gërxhaliu

Tërheqja e kontributeve sipas Gërxhaliut nuk duhet të konsiderohet gjithmonë si alternativë për të dalë ballë krizave socio-ekonomike që po e kaplojnë vendin.

“Është e vërtet që qytetari i Kosovës duhet të shijojë dorën e shtetit por, kam merakun që po krijohet një precedent që çdoherë kur ka ndonjë krizë apo ndonjë problem social të adresohemi te Trusti pensional dhe në këtë drejtim besoj që kur është tërhequr 10 përqindëshi ka qenë më e lehtë, sepse ka pasur garanca që ajo do të rimburësohet”, ka shtuar ai.

Haxhiu: Politikanët tërhoqën mjetet nga Trusti, pse kjo t’u mohohet qytetarëve

Ndërkaq deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, sërish ka përsëritur thirrjen që Kuvendi t’ua mundësojë qytetarëve një tërheqje të re nga Trusti.

Haxhiu përmes një konferenca për media të mërkurën, ka deklaruar se nga publikimi i deklarimit të pasurisë shumë politikanë kanë treguar se kanë tërhequr mjete nga Trusti herën e kaluar.

“Nga deklarimi i pasurisë u pa që shumë politikanë kanë tërhequr mjete nga Trusti, pse kjo tu mohohet qytetarëve. Edhe vetë drejtori i Trustit i ka tërhequr mjetet, kur pushtetarët tërheqin mjete nga Trustit pse kjo t’u ndalohet qytetarëve. I ftoj deputetët që me vullnet të lirë të vonojnë ligjin për tërheqjen e mjeteve të Trustit dhe Qeveria të ndal presion ndaj deputetëve”, ka thënë Haxhiu.

Bekim Haxhiu

Sipas propozimit të PDK-së, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.

Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.

Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati potencuar se që tërheqja e parave nga Trusti nuk e zgjidh problemin e qytetarëve.

“Kemi thënë edhe më herët edhe si opozitë në 2020, edhe 2021 në qeveri me Pakon e Ringjalljes Ekonomike e zbusim krizën, mirëpo nuk konsiderojmë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve të tanishëm do të mund ta zgjedhim problemin”, kishte theksuar Kurti.

Sipas tij, edhe dy ekspertë të FMN-së e kanë dhënë vlerësimin se një zgjidhje e tillë nuk është zgjidhje.

Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19.

Nga Trusti ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues. Tërheqja ishte bërë pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore