Lajme

Pse po vjen Pahor në Kosovë? Flasin për AP nga presidenca sllovene


Të mërkurën e 7 shtatorit, Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, do ta vizitojë Kosovën, e ku do të takohet me homologen e tij, Vjosa Osmanin,

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post përmes një përgjigje me shkrim Zyra e Presidentit të Sllovenisë.

“Presidenti Pahor do të qëndrojë në Kosovë më 7 shtator dhe do të takohet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, për të diskutuar për përgatitjet për Samitin e Brdo Brijunit që do të mbahet më 12 shtator në Slloveni”, thuhet në përgjigje.

Të shtunën, Pahor, gjatë vizitës në Beograd ka thënë se gjatë vizitës së tij në Prishtinë do t’i dërgojë tri mesazhe të rëndësishme.

“Në Prishtinë, së pari, do të them se çështjet e mbetura aktuale, në shtator dhe tetor, duhet të zgjidhen me dialog, dhe së dyti, dialogu duhet të jetë më i gjallë, mendoj se ka shumë mosbesim”, shtoi ai.

“Disa gjëra janë dakorduar dhe nënshkruar nga të dyja palët, por nuk janë zbatuar sa herë që kam ardhur në Prishtinë, u kam thënë miqve të mi se Asociacioni duhet të formohet nëse duam që procesi të jetë i besueshëm”.

Më 5 qershor, në një intervistë ekskluzive për Albanian Post, në fund të mandatit të tij si kryetari i shtetit slloven, Pahor pati deklaruar se njëjtë, si disa nisma të tjera për Ballkanin, ai mbështet edhe atë që filloi si Mini-schengen dhe përfundoi në Open Balkan.

“Unë mbështes fuqishëm të gjitha iniciativat që i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në rajon. Mbështes Procesin e Berlinit, Procesin e Bashkëpunimit të Shteteve të Evropës Juglindore (SEECP), Këshillin Rajonal të Bashkëpunimit (RCC), por gjithashtu mbështes Ballkanin e Hapur”, deklaron Pahor për Albanian Post.

“Nga Ballkani i Hapur do përfitonin të gjithë” – Albanian Post intervistë ekskluzive me presidentin slloven, Borut Pahor

Për më tepër, thotë ai, “iniciativa e Ballkanit të Hapur ka potencialin për të rritur bashkëpunimin ekonomik në mes shteteve në një nivel krejt të ri, ku do të përfitonin të gjithë”.

Presidenti slloven është i bindur se Ballkani i Hapur, iniciativa ku Kosova vazhdon ta refuzojë pjesëmarrjen, “do të kontribuonte te secili shtet individualisht që të përgatitet më mirë për Bashkimin Evropian”.

“Gjithsesi, dhe për këtë dua të jem shumë i qartë, iniciativa e Ballkanit të Hapur nuk është alternativë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Asnjë bashkëpunim rajonal nuk është alternativë për anëtarësim në BE”.

Një nga takimet ne Samitin e Open Ballkan, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçië dhe ish-kryeministri maqedonas, Zoran Zaev

Pahor është në mandatin e tij të dytë si president i Sllovenisë. Mandati i dytë 5 vjeçar i përfundon në dhjetor të këtij viti. Edhe po të donte, Pahor më nuk mundet të garojë për këtë pozitë, meqë me Kushtetutë nuk lejohen më shumë se dy mandate në këtë post.

Ai ka shumë vjet në politik, por është vetëm 58 vjeçar, prandaj, pas përfundimit të detyrës si president slloven, është përfolur për disa pozita të tjera të rëndësishme, që e tejkalojnë politiken nacionale sllovene. Ka pasur lajme se ka mundësi që të jetë pasuesi i Miroslav Lajçakaut, në pozitën e ndërmjetësuesit të angazhuar nga Bashkimi Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore