Lajme

Pse LDK-ja s’i përkrahi demonstratat e 1 tetorit 1997?


Ballina e Kohes Ditore

Protestat studentore të tetorit të vitit 1997, tani si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së vonë të shqiptarëve të Kosovës, nuk ishin përkrahur nga forca më e madhe politike e kohës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Baton Haxhiu, atëherë kryeredaktor i Kohës Ditore, në një shkrim për këtë zhvillim, ka dhe një pjesë që tregon qëndrimin e LDK-së në atë kohë.

Haxhiu madje shkruan se studentët ishin “para dy pushteteve”.

“I pari, pushteti i Serbisë, u doli në prit me vetura të blinduara, qindra policë të armatosur deri ne dhëmbë dhe një rrjetë e një autoblinde që po afrohej para fytyrës së udhëheqësve të Universitetit”.

Të gjithë gazetarët dhe diplomatët po e shikonim këtë skenë nga afër. Pastaj, policia, filloi të hedh gazlotsjellës për të shpërndarë mijëra studentë. Ia arritën t’i shpërndajnë për një kohë të shkurtër.

Kurse në LDK, shkruan Haxhiu, “në zyrat e tyre, bënin sehir me ngjarjen dhe gjithashtu kishin një vuajtje plot kënaqësi nga ajo që po ndodhte”.

“Fakti që LDK nuk kishte organizuar asgjë, mbaj mend dhe kam para syve, keqardhjen e tyre dhe fytyrat duke përvjedhur heshtazi gëzimin. Mbaj mend shprehjen e fytyrave. E mbaj mend se pash një gëzim torturues tek shprehja e tyre. Ishte pikërisht ajo që nuk duhej. Ishte thjesht një gëzim i turpshëm”.

Pasi ishte shpërndarë protesta nga policia, Haxhiu thotë se “u kthyem urgjentisht në redaksi”.

“Ishim të ndjekur të gjithë. Policia e dinte saktë se kush është fajtori kryesor për masovizimin dhe dhënien e kuptimit të asaj që po ndodhte. Ishte ‘Koha Ditore’ dhe stafi saj”.

“Fati jonë ishte se morëm të gjithë diplomatët në zyrat tona. Ishin me qindra njerëz që kishin ardhur edhe për t’u fshehur”.

Kishin kaluar fare pak minuta kur policia kishte thyer dyert e redaksisë.

“Unë, dhe Luan Dobroshi u dolëm përballë. Thjeshtë, nuk pyetën fare. Na dhunuan dhe hynë të identifikonin secilin prej nesh. Gëzimi më i madh brenda dhunës ishte, se Nick Hill e shihte dhunën nga dora e parë”.

“Unë, jam diplomat”, i tha policit në një serbishte të qartë.

Disa që ndiqeshin për t’u dhunuar, kërcyen nga dritarja.

“Fatos Berisha me kamerën e tij, që kishte një adhurim për Jugosllavinë dikur, po i shembej idhulli atij shteti para syve. Po e ndjekin atë! Kërceu nga kati i dytë, dhe nga frika theu këmbën. Shteti që ai e donte, në fundin e tij që po shkatërrohej në Kosovë, i kishte lënë një tattoo si dëshmi të dashurisë së gabuar për të”.

“Pas një kohe të shkurtë i kishin liruar të gjithë. Ejup Statovci kishte shkuar direkt në zyrë. E vizitova pas pak minutash. Ishte i lumtur që protesta kishte pas sukses. Por një goditje që kishte marrë pas në shpinë e kishte lënë pa frymë. Kishte dhimbje por e mbante krenaria e tij ende në këmbë”.

“Shkuam bashkë me Ylber Hysën dhe Ylber Bajraktarin për ta vizituar Bujar Dugollin. E kishin rrahur më së shumti. Në një banesë po përpëlitej nga dhimbjet sepse goditjet, sipas tij, ishin të forta”.

Ishin kërcënuar shumë në zyrat e UDB-së, por rrahjet nuk i kishin marr aty. Goditjet i kishin marrë kryesisht brenda në vetura derisa i kishin futur në zyrë për pyetje-takim informativ.

“Kujdes ju të Kohës”, më tha profa, “se kanë bërë pyetje edhe për ju dhe janë të mllefosur me JU, gjithashtu”.

“Por, ne vazhduam të shkruajmë për demonstratat”.

“Vendosëm fotografi dhe një rrëfim të jashtëzakonshëm për ditën e 1 Tetorit. Të gjithë reporterët ndërkombëtarë ishin me ne dhe morëm të gjitha fotot e mundshme nga secili pozicion. Dorën në zemër, unë isha më i ekspozuari në këtë rrëfim. Sidomos për studentët dhe tregimin për ta”.

Studentët morën rrugën dhe nisën luftën. Iu bashkuan UÇK-së. Nuk kishte kthim prapa.

Ajo që ndodhi pastaj, është e ditur, por ende nuk është shkruar.

Shkrimi i plotë nga Baton Haxhiu për tetorin e vitit 1997.

Demonstratat e 1 tetorit 1997 – Fitorja e Guximshme e LPK-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore