Lajme

Demonstratat e 1 tetorit 1997 – Fitorja e Guximshme e LPK-së


Protestat

Muhamet Mavraj po ecte ngadalë me një “fasikël” nën krahë. 30 marsi ishte një shenjë, shpresë, se studentët po tregonin rebelim. Po hynte në zyrën e “Kohës Ditore”.

Sa mirë që mbajte premtimin, i thash.

Sa mirë që po tregon guxim, ma ktheu.

Nuk është guxim i madh të botosh një shkrim, vazhdova të bisedoj duke mbajtur peshën e rëndësisë së asaj që kishte në dorë – dhe dorën e mbante në xhep.

E mbante sikur po paralajmëronte se kishte diçka që do ta bënte ndryshimin.

Në bisedën që kisha përmes telefonit, një jave më herët, ishte treguar mosbesues.

Ma sjell më datë 29 dhe do e shohësh. Nuk është keq ta provosh, ia kisha thënë një javë më herët.

Është guxim të jesh kundër rrjedhës. Kundër të gjithëve. Kundër pushteteve.

Njëri dhe tjetri po bashkëjetojnë shumë mirë në paqe, fliste Muhameti tash përballë meje në zyrat e “Kohës…”.

Gjendja ishte para shpërthimit. Shqiptarë dhe serbë, ishim si dy të burgosur të lidhur me një palë pranga, që urrejnë njëri tjetrin, që ia helmojnë njëri tjetrit jetën dhe përpiqen të mos vërehet kjo nga pushtetet e tyre, sepse jetonin bashkë në një hapësirë territoriale.

Muhameti, si njëri prej tyre, dhe studentë të LPK-së dhe LKÇK-së, kishin kuptuar se 99% e konflikteve ndodhin në momentin kur të dy kombet kuptojnë se jetojnë në një ferr dhe nuk kanë përgjigje për vuajtjet.

Shqiptarët jetonin në ferr sepse ishin të përçmuar dhe të poshtëruar kurse serbët jetonin keq në dominimin e tyre për faktin se aq shumë e kishin shtuar dhunën dhe shtrënguar lirinë e shqiptarëve sa kishin arsye të madhe të frikoheshin.

Të gjithë ne po ndiheshim të pafuqishëm dhe pa ndjenjë për të reaguar. Ndiheshim të tmerruar përpara kojshive serbë, që prej kohësh kishin veshur uniformat e nacionalizmit dhe pushtuesit që sundonte. Ishte gati si një bandë e armatosur që nuk kishte uniformë ushtarake, por gjuha dhe diskursi i dallonte se sa fort ishin të mbështjellë me fuqinë e dominimit.

Një dominim tjetër ishte brenda pafuqisë totale të shqiptarëve të Kosovës. Prej kohësh LDK-ja kontrollonte gjithçka në Universitetin e Prishtinës. Udhëheqësit studentor për vite ishin një grup që udhëhiqej nga Naser Rugova dhe Albatros Rexhaj me shokë.

Naseri kishte ndërtuar rrëfimin e kohës në mesin e studentëve se ishte nga familja Rugova e Istogut. Edhe të tjerëve u pëlqente ta kishin rrëfimin e Naserit sepse përfitonin duke qenë afër tij. Unioni i Mjekësisë dhe Fakultetit Teknik dominohej nga ky grup.

Ai dëshironte që ta mbante një pushtet të veçantë brenda feudit politik të Universitetit të Prishtinës, dhe e bënte në mënyrë LDK-iste, ku, ai si pjesë e saj, mbante qetësinë dhe pushtetin moral në Kosovë.

Ai, kishte ndërtuar rrëfimin në emër të prijësit. Ibrahim Rugovës. Prijësi kishte gjithçka nën kontroll. Dhe më e keqja askush nuk bënte pyetje se pse duhet të jetë kështu.

Çka është ky pushtet i veçantë që nuk po shihet. Të gjithë në Kosovë u shndërruan në besimtarë.

Serbët adhuronin Millosheviçin, kurse shqiptarët Rugovën. Dy armiq që jetonin në paqe!

Pyetjen e thjeshtë që filluan ta bënë LPK-istët e ri ishte se, ku na qenka pra, ky pushtet i veçantë.

Duhej thënë dikush diçka LDK-së. Pyetja ishte kur dhe ku?

Ndjenja mbizotëruese, ashtu e krijuar më gënjeshtra politike, ashtu si përherë në çdo kohë kur pushteti të tërbon, ka keqardhjen e vet brenda. Keqardhja vinte sepse nuk dinin çka bënin.

Por, një gjë e bënin mirë. Nënshtrimin.

Në sytë e të gjithëve, për një kohë të gjatë, nënshtrimi i Naserit me shokë ishte akti kulminant i rezistencës.

Brenda këtij nënshtrimi shtrohej një pyetje që dukej të jetë më e rëndësishmja e për kohën. Të hyje brenda tij, nënshtrimit, dhe, o zot, bëheshe shpejtë si ata, si Naseri me shokë.

Apo, të mos hyje me ta, brenda nënshtrimit, por pastaj vinin poezitë e fyerjes, dhe kishe të gatshme dhe të dizajnuar nga Gani Mehmetaj me shokë, tatunë politike të tradhtarit në faqet e gazetave të tyre.

Gani Mehmetaj me vëllaun dhe shokë ishin një bandë shkronjash të armatosur me mllef dhe me pafuqinë e tyre njerëzore, por të fuqishëm për ta fuqizuar njollosjen. Ata Punonin për Serbinë ndjeshëm sepse atë që Serbia e dëshironte ta bënte,  ata e bënin vet me lehtësinë e padurueshme. Bënin përçarjen.

Mund ta merrni me mend se si ndihej një i ri student, nëse i përgjigjet me, Jo, hyrjes në grupin e nënshtrimit. Se sa të vështirë e kishe si i ri, bashkë me familjen, përjetimin e linçimit.

Por, ishin edhe shumë të tjerë që mbanin peshën e situatës, që Naserit me shokë i jepnin krahët e sundimit moral dhe e mbanin drejtimin dhe kursin e LDK-së, vijë kjo që ishte ndërtuar nga grupi politik, I udhëhequr nga Sabri Hamiti, Fadil Hysaj, Fatmir Sejdiu, Eqrem Kryeziu dhe të tjerë.

Epo, kjo ishte mënyra se si jetuam.

Të gjithë u bënë gjithnjë e më armiqësor me njëri-tjetrin.

Por, kishte një grup që bën një pyetje të guximshme.

Pse nuk duhet të jemi me këta të Naserit me shokë?

Ata, kishin vendosur rrugën e tyre. Kishin marrë, tashmë, Unionin e studentëve.

Dhe Muhameti po shpaloste pyetjen e vet.

Ndërkohë, më 1996, kryetari i deriatëhershëm i Kadriu, kishte humbur postin dhe ishte zgjedh Bujar Dugolli. Dorën në zemër edhe me votat e fakultetit teknik, që ishin vendimtare për një kryetar të ri LPK-ist.

Nga xhepi i djathtë, Muhamet Mavraj, nxorri një disk. Më vete kishte shkrimin e premtuar.

“Po, shpresoj se e mban premtimin”, më tha, duke mbajt ende rezerva se a mund të botohej diçka e tillë në një ambient politik ku gjithçka ishte e kontrolluar.

Kishim biseduar një javë më herët dhe i tregova se do të fillonim gazetën ditore me emrin, “Koha Ditore”. Tash kur e kisha përballë i thash që e dua dhe do të botojmë si editorialin e parë nga ai.

“A je i sigurt që do ta botosh”, më tha prapë.

Deri këtu kishte arritur mosbesimi në shoqërinë tonë. Dhe më në fund arriti në pikën ku nuk ishin mosmarrëveshjet tona ato që ishin përgjegjëse për armiqësinë tonë ndaj njeri tjetrit. Ishte armiqësia e LDK-së ndaj tjerëve që krijoi mosmarrëveshjet.

Por, unë, me kohë kisha hequr dorë për tu marr vesh deri në fund sepse ishte humbje kohe të provosh. Ishte rrënuar çdo besim njerëzor. Thjeshtë nuk lejohej mendimi racional. Ishte momenti kur thuhej, O je me ne, o me ata.

Ata ishin, Serbia.

Kishim lënë që starti i gazetës të niste ndryshe. Tre numrat e parë të ishin eksperimentalë. Të gjithë ishim të fiksuar që data një prill të mos ishte datë ku duhet të fillohej një projekt.

Ishte dita e rrenës dhe të gjithë do të talleshin me ne. Prandaj, 31 marsi ishte arsye e fortë dhe fillim i duhur për një jetë të re në gazetari. Por e vërteta ishte se a ishim gati dhe mjaftueshëm të përgatitur për një projekt ditor.

Projekti ditor ishte fuqi. Nuk ishte vetëm shije dhe mendim siç bëhej deri atëherë me gazetën javore.

Të gjithë kishim eksperiencë në Kohë Javore, një revistë që mbante peshën e gazetarisë së mirë, së bashku me Zërin javor, e cila ishte në treg dhe pjesë e familjes së Kosovës për një kohë të gjatë.

Në gazetë ditore s’kishte punuar askush më parë, përveç Veton Surroit, i cili kishte përvojën e shkrimeve ditore në gazetarinë e kontrolluar nga pushteti, por as ai dhe as ne, asgjë nuk merrnim vesh nga dizajni dhe faqet e gazetës.

Askush nga dizajnerët që kishin punuar me ne, nuk dëshironin të ishin në projektin e gazetës ditore. Thonin që do të bankrotojmë shpejtë.

Të gjithë mësuam rrugës bërjen e faqeve dhe mënyrën se si bëhet “thyerja”(dizajni) e gazetës, siç quhej në zhargonin ditor të njerëzve që merreshin me këtë punë.

Ndamë rubrikat dhe afërsisht dihej se kush duhet të redaktonte tekstet.

Kur doli numri i parë i gazetës të gjithë na shanë për dizajnin e faqeve sepse çdo shkrim të botuar kishim kornizuar dhe shija e teksteve brenda faqeve, me mungesë dizajni ishte vërtetë një huqje e madhe. Edhe tek emri i gazetës kishte shumë debat.

Pyetja që qëndronte mbi debatin, ishte mosmarrëveshja – ne dhe lektorët  –

A rri mirë gjuhësisht emri “Koha ditore”, shtronin pyetje fanatikët e gjuhës, që për ne ishin lektorët e kongresit të drejtshkrimit, të vitit 1974.

Në një moment Duki Gorani i quajti ata, lektorët, policë gjuhësor. Ata ishin Ali Olloni, Nehat Qena.

“Kush jeni ju që mund të vendosni se çka është gjuhësisht e drejtë. Njeriu vendos çka është e mirë për të” e plasi Duki në fytyrë “policëve” gjuhësor.

Por, ne kishim një arsye që emri “Koha…” të ishte ashtu dhe se s’bënte ndryshe të jetë.

Arsyeja e vetme për ta mbajt emrin ishte ndjekja e vazhdimësisë së emrit të revistës “Koha’, e cila paralelisht botohej bashkë me Kohën ditore.

Dorën në zemër, shumicën e herave, derisa vazhdonte të botohej paralelisht, më binte barra mua, gati 100%, sepse të gjithë e donin ndikimin e menjëhershëm.

Më duhej çdo javë ta bëja gati për botim.

Në një moment s’kishim më fuqi ta botonim, edhe pse kishim shumë dhimbje për të dhe për shijen e mirë që na kishte lënë. Por, edhe pak jetë dhe mirëqenie na kishte ofruar. Gjithnjë kemi qenë në krizë. Krizë për pare. Krizë për botim. Krizë në menaxhim.

Më kujtohej vështirësia e madhe që kishim në vitin “95 dhe “96, kur bartnim gazetën “Koha”, bashkë me Vetonin dhe i shpërndanim nëpër kiosqe, sapo merrnim numrat e gazetës në tunelin e kurrizit, që vinin nga shtypshkronja “Dukagjini”, dhe pastaj shkonin nëpër supermarkete, që, në Prishtinë, sapo kishin filluar të ishin shumicë.

Por, edhe në Kosovë kishin hapur dyqane të panumërta, të gjithë ata, që, ndërkohë, kishin mbet pa punë.

Atëherë, kishim gjet shtypshkronjën “Dukagjini” për ta shtypur falas. Por, nuk kishim mundësi si ta shpërndanim. Edhe për faktin se rrjeti i Rilindjes ishte i vetmi që bënte shpërndarjen e gazetave, dhe “borxhi” ndaj tyre ishte aq i lartë sa nuk kishim më “fytyrë” të kërkonim ndihmën e tyre.

Mbi këto kushte, menduam që e vetmja zgjidhje ishte gazeta ditore.

Dhe doli. U bë.

Merita i takon Vetonit, i cili futi në risk gjithçka që kishte. E kishte shumë pak.

Por, mund të humbte edhe gjithçka? Ndërkohë që po punoja me një grup praktikantësh që dëshironin të bëheshin gazetar. Bashkë me Zenun Çelajn.

Themeluesit i kishin mbet besnik projektit, shumica prej tyre, dhe pranuan që të vazhdohet me projektin. Duki (Gorani), Ylberi(Hysaj), por ndërkohë kishim humbur dy më të mirët e redaktimit të teksteve. Kelmend Hapçiun dhe Eqrem Bashën, Astrit Salihun dhe dizajnerët.

Kur doli numri i parë, kritika më e madhe dhe më e rrezikshmja erdhi nga “Bujku” dhe një pjesë e LDK-së.

Sipas tyre, ne, ishim gazetë me fonde që si dihet burimi, kryesisht përmendnin Beogradin, kurse Vetoni, ishte arsyeja kryesore që kishin filluar ta bënin linçimin publik të secilit prej nesh. Na thonin që ishim të mashtruar sepse botimi do të zgjas vetëm disa ditë. Gjithçka kishin shpikur.

Të ishe gazetar në Koha ishte një sakrificë, sepse linçimi ishte i pamëshirshëm dhe kryesisht orientohej ad hominem. Ishte i mbushur më gënjeshtra dhe ofendime ndaj familjeve tona.

Kishte shprehje urrejtjeje për ne, për familjet tona.

Atëherë nuk kuptoja se si periudhat e zemërimit ndaj nesh kishin një vazhdimësi  të rregullt dhe ushtrohej në mënyrë sistematike.

Nuk e dija pse shajnë sepse, dorën në zemër, atë që bënim ishte më e mira që mund të bënim për vendin dhe njerëzit sepse fryma ishte krejt tjetër nga gjuha oportuniste. Urrejtja ndaj nesh vlonte dhe ishte e tmerrshme.

Të jetoje ashtu ishte e tmerrshme. Thjeshtë të pështynin rrugës. Aq keq ishte gjendja.

Ishte “vrasje” publike të ishe me studentët LPK-ist dhe me të burgosurit politik që thuhej se kishin ardhur ta “merrnin kalanë nga brenda”.

Natyrisht, që komunikatat e herë pas-hershme të UÇK-së, që vinin nga ilegaliteti quheshin të UDB-së.

Të gjithë na kishin mbajt në mend edhe një faqe të parë nga viti 1996 në revistën “Koha”, me portretin e një luftëtari të maskuar (ishte një faqe e huazuar nga një luftëtar I IRA-s), që Ylber Hysa kishte zgjedhur ta portretizonte të ardhmen me luftë dhe UÇK-në që po vinte.

Por, ne nuk ishim në gjendje ta kuptonim gjendjen tonë.

Fatmirësisht, ne, nuk e kuptonim gjendjen tonë dhe urrejtjen ndaj nesh. E mira ishte se ne nuk e kuptonim dhe nuk e shihnim dot për çka urreheshim. Dhe pikërisht këtu qëndronte fuqia jonë dhe në këtë fuqi qëndronte si shpëtimi, po ashtu edhe vija e hollë e  ndëshkimit e të gjithë neve.

Kështu jetonim vazhdimisht me mjegull, pa e parë atë gjendje ku ndodheshim.

Kur dolën shkrimet dhe titujt në faqen parë me datë 31, tregohej qartë pse gazeta duhej te ishte e suksesshme. Me qëllim e vendosim numrin Zero, në gazetë.

Na thanë shumëkush se kështu fitohet beteja me Bujkun, si gazetë ditore e cila kontrollohej shkruhej dhe dominohej nga LDK.

Me 31 mars në mëngjes me telefonoi edhe Mavraj.

“Bravo”. Nuk e kam besuar se mund të bëhet diçka e tillë në Kosovë.

Mavraj doli me kolumnën e parë për nevojën e organizimit të një rebelimi studentor si arsye për të dal nga gëzhoja e “qetësisë” në Kosovë, që dominohej nga diskursi i frikës dhe pushtetit moral të LDK-së.

Këtu filloi besimi për ne dhe ishte një derë e hapur me Unionin e studentëve.

Besimi qëndronte, por Muhameti me shokë, tre muaj më herët, kishin humbur shtyllat kryesore, disa nga njerëzit kryesor të organizmit brenda Universitetit. U ishin burgosur shokët.

Po çka kishte ndodhur krejt para se të bëhej Demonstrata e madhe.

Derisa Unioni organizonte punët, pakënaqësia e studentëve ishte rritur bukur shumë. Unioni i pavarur i studentëve kërkoi lirimin e hapësirave universitare të cilat ishin okupuar nga shteti serb, i udhëhequr nga Rektori Radivoje Papoviç, shumë i afërt me Kryetarin e atëhershëm të Partisë Radikale serbe, Vojisllav Sheshel. 550 studentë nënshkruan peticion drejtuar Presidentit Ibrahim Rugova për lirimin e objekteve shkollore.

20 prilli i vitit 1996 ishte drama më e rëndë për studentët e Universitetit të Prishtinës. Në lagjen, Kodra e Diellit, u vra Armend Daci nga Deçani.

Marrëveshja e Shën Egjidios e nënshkruar nga Presidenti serb Sllobodan Millosheviç dhe Ibrahim Rugova ishte në kolaps. Strukturat serbe dhe pushteti i instaluar serb në Kosovë ishte shumë kundër që marrëveshja e nënshkruar për Universitetet të mos respektohej edhe për shkak të kërkesave deçizive të profesorëve në Universitet që të punohet me program të Republikës së Kosovës.

Unioni i Pavarur i studentëve ishte tepër kritik për këtë marrëveshje kurse Rektori I Universitetit, Ejup Statovci, kishte kritikuar rëndë nënshkruesit duke e quajtur farsë politike sepse në marrëveshje nuk ishte përfshirë Universiteti.

Por, më e rëndësishmja që kishte ndodhur në vitet e fundit kishte një tjetër prapavijë.

Çështja ishte se kush dominonte organizimin e studentëve në Universitetin e Prishtinës dhe kush ishin ata që një organizatë studentore të kontrolluar nga LDK-ja kryetari Kadriu, por më dominanti ishte Naser Rugova, po e çmontonin me veprimet e brendshme të tyre.

Një grup tjetër, prej disa vitesh, po e gërryente nga brenda organizatën studentore të vjetër dhe po e shndërronte atë në një organizatë aktive dhe militare, njëkohësisht.

Kjo ishte krijuar si mundë për shkak të një arsyeje të vetme. Regjistroheshin të gjithë studentët në Universitet. Edhe ata që e kishin pas të ndaluar dikur nga sistemi komunist.

Sistemi paralel universitar, i cili mbahej nëpër shkolla private, kishte krijuar një situatë të re në politikat e regjistrimit të studentëve.

Universiteti ishte i  hapur dhe mësimi universitar ishte pjesë, pothuajse, e shtëpive private. Ndërtesat universitare ishin tërësisht nën kontrollin e shtetit serb. Për një kohë të gjatë politikat e Universitetit të Prishtinës nuk lejonin që të regjistrohen studentë me prapavijë politike kundër shtetit jugosllav, që kryesisht ishin të burgosurit politik dhe familjet e tyre.

Universiteti paralel krijoj mundësinë që të regjistrohen nëpër studime studentë ose njerëz të cilët nuk i kishte lejuar shteti të regjistrohen, për shkak se paraprakisht është dashur që ta merrnin një deklaratë sigurie, nga krahina autonome, që nuk je i dënuar politikisht.

Mbas një kohe të gjatë ishte krijuar mundësia të kishte studentë, ose ish të burgosur politik, që nuk i kishin vazhduar studimet për shkak të veprimtarisë ilegale ose ata i kishin ndërprerë studimet për arsye të mbajtjes së dënimit me burg.

Në sistemin paralel, një pjesë e madhe e tyre, vazhduan punën dhe u kthyen në studime.

Për këtë fakt po krijohej një hapësirë e re për ta dhe për shkak të përvojës në ilegalitet dhe në organizim, ishte një përballje edhe më e lehtë për ta brenda universitetit.

Fakulteti filologjik ka pasur iniciativa gjatë kësaj kohe dhe  ka qene e mbushur me debate politike, por ka qenë e vështirë të krijohej një gjë e tillë në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Fakultetin teknik sepse një pjesë e madhe e tyre mbanin epitete të privilegjuarish.

Grupet e të burgosurve, me ndikimet e tyre, me krijimin e rrethit dhe shoqërisë,  krijuan rezistencë brenda Universitetit. Ata ndanë universitet në hapësira që u takonin atyre dhe hapësira ku dominonte LDK. Kjo ndikoi në vazhdimësi që të shtohet rezistenca, dhe njëkohësisht, u krijua fuqia për ide të reja të rezistencës brenda Universitetit.

Muhamet Mavraj dhe Bujar Dugolli ishin studentë me lidhje të mira me LPK. Brenda Universitetit ishte formuar një klub politik që funksiononte edhe brenda qytetit në Prishtinës. Në klubin politik,  Muhamet Mavraj kishte sjellë Nait Hasanin me shokë. Aty janë diskutuar debate politike legale, të cilat kanë qenë si paralajmërim për organizim të protestave që po vinin.

Pakënaqësitë ishin shpërndarë nëpër grupe studentësh ose në fakultete ku besohej se mund të filloi rezistenca. Ky ka qenë fillimi i një organizimi politik që më vonë do dilte në përkrahje të plotë të luftës për çlirim.

Organizimi ka qenë legal dhe klubi politik, gjithashtu, e konsideronte vetën si gjysmë legal – gjysmë ilegal sepse një pjesë e tyre ishin pjese e LKÇK-së.

Ekzistonte grupi tjetër që në krye kishte Xhavit Hazirin, Hashim Thaçin, Nait Hasanin, Rexhep Selimin, Sokol Bashotën, Xheladin Gashin, Kadri Veselin, që funksiononin dhe që nuk kishin të bëjnë me LKÇK-në.

Ky grup kishte filluar të ndërtonte “rrëfime” militare jashtë Universitetit, por synimin e kishin rikthimin e guximit tek të rinjtë e Universitetit.

Më 16 janar të vitit 1997 ishte kryer një atentat ndaj rektorit të Universitetit serb të Prishtinës. Papoviç kishte shpëtuar i gjallë.

Ky ishte një veprim i fort politik dhe ushtarak – një atentat direkt që kishte kryer Ushtria Çlirimtare e Kosovës, respektivisht grupi që ishte formësuar ideologjikisht, ushtarakisht, politikisht dhe udhëhequr nga Xhavit Haziri.

Ishte edhe një organizatë tjetër ilegale brenda Universitetit. LKÇK-ja

Një problem doli mes tyre dhe armiqësoi dy organizatat.

Pas atentatit ndaj Papoviçit, publikisht doli LKÇK-ja dhe e mori përsipër atentatin. Personalisht, udhëheqësi i LKÇK-së, Sejdi Veseli në Tiranë e bëri për mburrje dhe mori përsipër atë që djemtë e LPK-së kishin bërë.

Kur u bë e pamundur të mbrohej e pavërteta e thënë në publik, dhe për shkak të presionit që erdhi nga të tjerët, pas disa ditësh, doli dhe tha : “Jo nuk jemi, ne”. Po kush ishte Xhavit Haziri.

Xhavit Haziri ishte një veprimtar i rrallë idealist, i guximshëm dhe i vendosur.

Ishte nga Vushtrria dhe një prej themeluesve të UÇK-së. Kishte mbledh afër vetes idealistët dhe djem të rinj, të gatshëm për flijim.

Këtë organizim me këtë përmbajtje dhe me këta njerëz të besueshëm, e kishte bërë që nga viti 1992, i sapo dalë nga burgu i Mitrovicës. Kishte qëndruar në burgun e Mitrovicës së bashku me Nait Hasanin.

Xhavitin, si ish i burgosur politik, e kisha takuar në një zyrë në Kodrën e Diellit..

Dukagjin Gorani dhe shoku i tij Dardani kishin hapur një zyrë kontabiliteti për të kryer punë sa për të mbijetuar kohën e vështirë të viteve, pas largimit të gjithë punëtorëve nga puna. Duki kishte njohje me Xhavitin. Ishte viti 1992.

Unë, gati, çdo ditë kaloja për një takim të shkurtë tek Duki në zyrë pasi kisha përfunduar punët në redaksinë “Bota e re”.

Meqë po bëja përgatitjen e një libri  “Kosova dhe Ruleti ndërkombëtar”, në zyrën e Dukit, ndërkohë, po bëhej çdo ditë e me nxehtë diskutimi. Demostratat,  Kryengritja e armatosur dhe dëshira e Xhavitit për flijim ishte tema kryesore e debatit në zyrën e Dukit, i cili po i bënte gati disejnin e gazetës “Vatra”, që Xhavit Haziri e shpërndante me grupin e tyre.

Në 92-tën kishte një rezistencë pasive të organizuar mjaftë mirë. Një qëndrueshmëri e qytetarëve, por, gjithashtu kishte mundësi të krijoheshin kushtet për një rezistencë që i jepte mundësi veprimi kësaj lëvizje.

Xhaviti ishte natyrë e butë. Fliste ngadalë por ashpër. Mbante kursin e tij kundër Serbisë dhe pushtetit të LDK-së.

Ishte kundër deklaratave boshe sepse vuajtjet që ai kishte përjetuar në burg nuk e lënin të jetë i qetë. Nuk i jepnin asnjë motiv me ecë tutje pa luftën për liri.

Qytetarët rriheshin -vriteshin, shpërnguleshin dhe secili prej tyre kërkonte si të ikë ose te gjen një strehim diku.

Pse duhet të rrimë duarkryq, thoshte Xhaviti, kur nuk kishte shkolla, dhe me 3’Shtator 90’tës punëtorët u larguan nga puna, mbas grevës që ishte organizuar nga sindikata e udhëhequr nga Hajrullah Gorani.

Kjo është koha, dhe gjithë këto ishin një pjesë e përgatitjes e një terreni për një rrethanë të caktuar, për një kohë të caktuar të afërt, ishte këmbëngulës ai më qëndrimin e tij.

Gjithë lëvizja paqësore në Kosovë, mbante deklarata për shtyp çdo të premte dhe tregonte :  u vranë kaq, u rrahën kaq , u dhunuan kaq, edhe kërkesa : “ju lutem të keni durim dhe besoni në lëvizjen paqësore, edhe mos ta prishim sistemin e ndërtuar demokratik”, thoshte Rugova.

Me një poshtërim të tillë, me shtypje deri në atë pikë, ishte absurde të thuhej se kishte mundësi me pasë sistem demokratik.

“Kur je i poshtëruar, duhesh të përgatitesh sistemin për luftë për mbrojtje për çlirim”, ligjëronte Xhaviti.

Kishte një adhurim për Hajrullah Goranin sepse e shihnin si të tyre dhe e pëlqenin për veprimin radikal që kishte ndërmarrë me 3 shtator.

Gjatë pushtimit duhet të humbësh gjithçka për ta kuptuar se je i okupuar. Këta të LDK-së  bëjnë sikur janë në një sistem demokratik dhe jetojnë me pushtuesin në paqe, mbante ders Xhaviti.

Ka qenë edhe një vend tjetër debati me Xhavit Hazirin, një kafe në Bodrumin, brenda shtëpisë së Halil Alidemajt, një tjetër i burgosur politik, në Kodrën e Diellit, që mbante njerëz pasionant të politikës, që donin dhe bënin po kaq shumë ligjërim politikë.

Halil Alidemaj, një mik i babait tim, i burgosur politik, rrinte në një divan dhe mbante po ashtu ders duke bindur grupin e të rinjve se vetëm lufta e shëron poshtërimin. Herë pas here Duki kishte diskutime të zjarrta në terasën e Halil Alidemajt. Dhe kundërshtonte logjikën e luftës pa strategji.

Xhaviti nuk erdhi më në zyrën e Dukit për tu përshëndetur. Disa muaj më vonë Xhaviti ishte burgosur.

Vetëm një idealist që besonte në fitore, që besonte se ska kuptim poshtërimi, duke qenë se gjithçka kishte marrë fund, dhe flitej kot për një marrëveshje sepse e gjithë shpura politike (ashtu i quante LDK-istët) , udhëhiqej gjithandej nga një gjeneratë frikacakësh, po merrte fund.

Njerëzit e LDK-së dhe Jugosllavët po na frikojnë, thoshte Xhaviti, duke akuzuar ata se po trumbetojnë dhe ndjellin frikë të të gjithë, se Jugosllavia ishte shumë e fortë ushtarakisht dhe se beteja nuk mund të fitohej.

Kjo nuk po frikonte Xhavit Hazirin dhe grupin e tij të cilët kishin vuajtur shumë në burgun serb.

Një ditë po lexonim se ai(e kisha unë në mendje) dhe shumë të tjerë po kryenin aksionet e para në gjithë Kosovën.

Ndërkohë, edhe organizimi i një proteste ishte rrugës.

Grupi që kishte marrë përsipër organizimin e një vale të re protestash në Universitet kishte pësuar dëmtim të rëndë.

I pari që ishte burgosur ishte Naiti me shokë. Në janar të vitit 1997 u ngrit aktakuza kundër 15 personave. Ishte akuzë për terrorizëm. Askush s’kishte dëgjuar për këtë grup më herët.

Lidhja e Xhavitit me Naitin dhe me Muhamet Mavrajn ishte shkëputur. Demostratat që ishin planifikuar të organizoheshin në mars u shtynë për një moment tjetër. Në Mars u përkujtua përvjetori i demostratave të vitit 1981. Kaq.

Studentët, Muhamet Mavraj dhe Bujar Dugolli, Driton Lajqi kishin humbur mbështetjen kryesore – vijën e LPK-së. Jashtë kishin mbetur Rexhep Selimi dhe Sokol Bashota, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Në prill, zyrën time e kishin vizituar Bujar Dugolli, Driton Lajçi, Jeton Jagxhiu dhe një i katërt që s’më kujtohet.

Pa asnjë dyshim që u pajtuam menjëherë që gazeta do ta përkrahte Unionin e pavarur të studentëve.

Bujari dhe Dritoni dhe të tjerët ishin pak të njohur në jetën publike dhe ishte vështirë të krijohej një profil me peshë dhe liderë që studentët do të besonin.

Ndërkohë, profesor Ejup Statovci, që e njihja prej kohësh, më ofroi të isha kryeredaktor i “Botës së re”. Grupi i studentëve që ishin afër LDK-së kishin kundërshtuar fort këtë ide.

I bindur se s’kisha asnjë dëshirë të shkoja të udhëheqja një gazetë të studentëve sepse i kisha dhanë mjaftueshëm asaj gazete për disa vite dhe bashkë me Agim Morinën dhe të tjerë na kishin bërë telef policia pasi kishim shpërndarë gazetën “Bota e re”.

Refuzova kujdesshëm profesor Ejupin. I thash që shumë më mirë dhe më kontribuues do isha në “Koha ditore”.

Ndërkohë, Bujari dhe Dritoni ishin të bindur se diçka do të bëjnë me organizatën e studentëve.

Por si të arrihej një masë kritike që e gjitha të funksionoi. Ishte gjithçka e kontrolluar nga dy pushtetet, ai i Serbisë dhe pushteti moral i LDK-së. Ishte e vështirë të ndërtoje hapësirë pa një pasojë të prekshme. Kjo dihej.

Të parët, pushteti serb, të keqtrajtonte, të thërriste në biseda informative dhe të kërcënonte hapur. Goditjet dhe grushtimet ishin gjërat më të vogla që mund të përjetonte një kundërshtues i qetësisë së përbashkët që kishin krijuar Serbia dhe LDK-ja.

LDK-ja në anën tjetër kishte gazetën e saj Bujku dhe Revistën Kosovarja, që brenda saj e kishte një thumbues primitiv, një shtojcë gazete me emrin “MORRI”.

Nick Hill dhe Bob Norman, dy diplomat amerikanë të nivelit të lartë dukeshin në hapësirat e “Kohës…” sa herë që kishte një lëvizje më radikale dhe që nuk përshtatej me politika paqësore. Amerika e donte shumë një gjë të tillë.

Gjyljeta Mushkolaj, një grua e besueshme dhe e kujdesshme brenda (zyrës) Ambasadës Amerikane shpeshherë kujdesej që të ndërtonte një pamje reale më atë që po ndodhte në Kosovë. Ajo punonte në zyrën amerikane.

Nick Hill dëshironte të dinte se sa larg mund të shkonin studentët me lëvizjen e tyre. Tash të gjithë e dinin se unë dhe “Koha Ditorët”, siç na pagëzuan atë kohë, kishim ndërtuar rrugë të shtruar me unionistët radikal. I kishim të gjitha gjërat ekskluzive. Një pjesë të tyre i krijonim vet. Tituj atraktiv, Të fort dhe të guximshëm.

Por,  doli diçka e papritur. Qershori ishte i rëndë. Po hapej gjykimi për ata që ishin akuzuar në janar. Mllefi ishte rritur shumë për shkak të arsyes që ishin burgosur dhe dënimit që po u vinte.

Gazeta “Çlirimi”, organ i LKÇK-së, ishte një arsye e fortë për prokurorin , që adresohej në aktakuzë dhe përbënte veprimtari armiqësore për shtetin serb.

Vendosëm të bënim një gjest të rrallë. Në shenjë solidariteti me të akuzuarit, me propozim të Ylber Hysës, vendosëm të botojmë Gazetën “Çlirimi” në dy faqet e gazetës “Koha Ditore”.

Thirrja ishte, ejani dhe burgosni edhe ne(!), ose lirojeni njerëzit e rinj nga burgu.

Këtu filloi armiqësia e hapur me të gjithë, përveç me studentët. Këtu filloi që Koha Ditore të hyjë në luftë të pakomromis me të gjithë. Kishim arrit kulmin e besimit. Po lënim nam me titujt, me Intervista, me reportazhe dhe foto për atë që po vinte. Protestën. Stdentëve ua kishim shtruar rrugën dhe tashmë ishim pararoja e tyre. Ata vetëm duhet ta formalizonin masovizimin. Ishim të sigurt se po arrihej masa kritike. Kishim vetëm edhe gushtin për ta finalizuar.

Ndërkohë, ne kishim biseduar (kishim bërë marrëveshje)  për të dinamizuar lëvizjen e studentëve. Muhamet Mavraj kishte mbajtur premtimin që në periudhën qershor-shtator të mbaheshin gati çdo ditë konferenca shtypi. Ishin krijuar ekipet pyetjet dhe faqet e para në gazetë.

Ylber Bajraktari, Valbona Mehmeti, Fisnik Abrashi, Tina Kraja, Nebi Qena, Lundrim Aliu, kryesisht, ishin pjesë e konferenceva për shtyp që Unioni i studentëve po organizonte më pyetje, kryesisht të marrëveshura me ne.

Ishin krijuar momente interesante, dhe ndërkohë bëheshin përgatitje për ditën e madhe. 1 Tetorin.

Shtatori ishte vendimtar. Nick Hill tashmë rrinte më shumë në Prishtinë se në Beograd.

E kishin autorizuar të merrej vetëm me Kosovën. Ai dhe Xhyljeta e kishin piketuar njërin nga Unioni, Driton Lajqin, të jetë pjesë e takimeve të shpeshta me ta. Ishte njëfarë kontrolli i kujdesshëm mbi të.

I jepnin edhe pak info të veshur me strategji veprimi  por i merrnin më shumë informata se çfarë kishte brenda Unionit. Një bashkëpunim i sinqertë dhe me plot dëshirë brenda.

Bujar Dugolli dhe të tjerët që dilnin në konferenca shtypi nuk jepnin shumë shpresë. Muhamet Mavraj propozoi që ta takonim një djalë të ri me emrin Albin Kurti. Kishte hyrë në Union si një shmeker flokëkaçurrel. Unë dhe Duki e takuam të restorant Rugova për të kuptuar se cili është profili i tij. Kur e pamë konstatuam se një djalosh i ri, me pamje interesante mund të ishte paketim i mirë për një imazh të ri në fotot e para të gazetës.

Konferenca e parë ku ai mori pjesë së bashku me Dugollin la përshtypje. Imazhi tij përhapej për shkak të flokëve dhe ndër studentët e rrallë në Union që fliste anglisht.

Ndërkohë, David Hardson, ishte bërë gati të kujdesej për imazhin e Albinit dhe mënyrën se si ai bëhej pjesë e lidershipit të Unionit.

Vrazhdësia, papërvoja dhe shija e munguar e unionistëve e bën Albinin që medialisht të jetë më i dashur për të gjithë.

Derisa Albini po bëhej i kapshëm për gazetarët, LPK-ja dhe UÇK-ja kishte marrë nën kontroll organizimin në tërësi.

Të gjitha partitë politike ishin për protesta. Sindikatat dhe disa organizata joqeveritare.

Ejup Statovci me thirri për një intervistë. Bisedova në shtëpinë e tij dhe afërsisht më tregoi strategjinë e protestës. Tashmë, gjithçka shkonte përmes “Kohës ditore”. Besimi ishte i plotë dhe “Koha…” dhe gazetarët e saj mbushën faqet e saja me protestën.

Thjeshtë nuk kishte, dhe nuk do të mund të kishte protestë pa “Kohën…”.

Ejup Statovci kishte vendosur ti prij protestës. Ishte shendetligë, por më tha edhe një gjë të rëndë. Ishte aq e rëndë sa dukej e vështirë ta përballonte një djalë i moshës së re, si unë.

Po shkoi në protestë por kam dy gjëra që i dua, më tha, profa.

“Jam i sëmurë rëndë,” më tha, dhe nëse vdes nuk dua ta varrosem si hero. Dua të varrosem vetëm me njerëzit e familjes time.

Ishin fjali që nuk i kisha pritur nga profesori im, i cili kishte respekt për mua që nga koha kur isha studentë i tij. Ai më tha që do e bëj të fundit gjë për Universitetin.

Intervista doli para protestës.

Nick Hill dhe Xhuljeta na bënin me dije se duhet të kemi kujdes sepse “Koha ditore”, po bëhej jo vetëm promotore e demostrimit por ishte krijuar përshtypja se ne jemi bashkëorganizatorë të kësaj proteste.

Në të vërtetë atë qëllim kishim. Të bëjmë namin me pjesëmarrje. Thjeshtë të lëmë gjurmë.

Por para se të nisnin protestën, studentët, përmes “Kohës Ditore”, në mesin e shtatorit përgatiten një ecje- protestë nëpër Korzon e qytetit. Herë pas here policia merrte nga një protestues e fuste në hyrje të ndërtesave përreth dhe e bënin pleh duke e rrahur. Kjo shkaktoi revoltë edhe më të madhe.

Erdhi dita e Protestës.

Një ditë para demostratave Muhamet Mavraj më kishte thënë se Albini do e sjell rrugën e marshit që duhet të kalonin studentët. Ishte ideja që studentët të respektoheshin nga i gjithë populli dhe të mbroheshin nga një intervenim i mundshëm.

E kam pritur Albin Kurtin deri në 18. 00 pasdite.

Para redaksisë ka ardhur me disa flet dhe me rrugët përshkruese se kah do të kalonte protesta.

I tërhequr si djalë, me pak fjalë por me shpjegim të lehtë po largohej me, mirupafshim nesër.

Gazeta, në mëngjesin e një tetorit po shitej ”si hallvë”, që në dalje. Të gjithë qytetarët ishin me gazetë në dorë dhe po lexonin shkrimin për rrugëtimin e protestës. Rrugët e Prishtinës ishin të bllokuara. Nga Velania deri të spitali dhe fakulteti teknik ishin të zëna trotuaret.

Diçka të tillë kisha parë vetëm kur Tito, Marshalli i Jugosllavisë, kishte ardhur në Kosovë. Por këtë herë s’kishte asgjë të organizuar. Ishin të gjithë me studentët. Masovizimin, padyshim, e kishte bërë “Koha ditore”. Kurse Universiteti po niste rrugën e re për një Kosovë tjetër.

Ndjenja mbizotëruese, për herë të parë, po bëhej pjesë e një thyerje të madhe politike. Në çdo “tërbim” që kishim me shkrimet, na ndodhte të kishim keqardhje për veten.

Se çfarë ishte ky realitet i ri që doli shesheve të Prishtinës nuk e dija, por vetëdija ime për këtë gjendje të re të ndërgjegjes me mbushi me gëzim dhe shpresë.

Kjo ishte një lojë tjetër. Duhet ta luanim dhe ta duartrokisnim dhe nuk kishte arsye të flisnim dhe të dëgjonim thashetheme.

Këto pjesë të politikës mund të luheshin vetëm kështu. Në kësi rrethana të rëndësishme, domethënëse. Vetëm atëherë kur kërkohen të kryhen akte të rëndësishme, me sakrificë brenda i përgjigjeshin kohës. Duhet të bëheshin këto akte, akte këto që frymëzonin çdo kë që donte të largohej nga Status quo. Nga nënshtrimi.

Megjithatë, për të arritur majën duhet të dilnin të gjithë në rrugë. Pa frikë. Dhe duke u përshëndetur me nënshtrimin. Ky ishte momenti.

Një helikopter policie, ndërkohë, po sillej nëpër qiellin e Prishtinës. Po vëzhgonte gjithçka nga ajri.

Ishim në Velani të gjithë. Diplomatë, gazetarë, studentë, profesorë dhe kurreshtarë.

Kam hyrë në dhomën ku qëndronin profesorët dhe pesë studentët. Të veshur më të bardha. Profesor Ejupi kishte mantilin e tij të përhershëm. Ishin pak minuta para nisjes. Më kujtohet toni i zërit me të cilin ai më pyeti.

“Si është situata jashtë”?

Sikur kishte larguar çdo ankth për të më kënaqur dhe për të larguar çdo shqetësim që mund të kisha/kishim se mund të ketë përballje të madhe me policinë.

Jashtë ka aq shumë njerëz. I gjithë qyteti ka dal për t’iu duartrokitur, i thash.

Nuk arrija të mbushesha me frymë, sepse më kishte treguar për sëmundjen e rëndë. Dhe, për të mund të ishte dita e fundit e jetës.

Me dridhej nofulla nga sikleti.

Paçi fat, iu thash. Të gjithë kishin ulur kokën dhe shikonin mbi tavolinë. Shkonin si cjapi te kasapi. Ishte trimëri të dilje dhe të rrije para një policie të pamëshirshme.

Shprehja e tmerrit ishte larguar nga profesori. Dhe shprehja e fytyrës së tij u këmbye me shprehjen e pyetjes, “A mund të gënjejnë më apo s’mund të gënjejnë? Kjo tregonte se më kthim prapa nuk ka.

Nëse është e mundur atëherë duhet filluar, foli profa.

Dola nga dhoma e tyre vetëm disa minita para se dilnin për ta udhëhequr protestën.

Jashtë kishte rojtarë oborri, studentë me shirit që kishin organizuar gjithçka të shkonte mirë.

Kur e shikoja lumin e njerëzve, më parë mendoja në fatkeqësi, se sa do të dilte diçka mirë dhe pa ndërhyrje. Ishte hera e parë që po bëhej diçka aq e madhe dhe publike pa LDK-në.

U nisa për në fund të rrugës së Velanisë. Arrita të udhëkryqi ku puqeshin katër rrugë. Një që shkonte në Taukbashqe dhe Gërmi në të djathtën e saj, kurse rruga për në qytet, ishte në të majtë. Tjetra rrugë shkonte në Velani, ku ishin studentët, dhe përtej ishte Taslixhja.

Një duartrokitje me një jehonë kumbuese po përshkonte Velaninë. Gjithçka po dridhej nga duartrokitjet. Ishte Një ndjenjë e papërshkruar. Ndjeva një rrënqethje dhe një nevojë për ta shkatërruar nënshtrimin. Ishte përballja n’mes një ekstaze studentore dhe një tërbimi të furishëm që kishte pësuar LDK-ja. Dhe shprehja e policëve poshtë, ishte një shprehje tmerri. Ishte, pikërisht ajo që duhej. Ata donin heshtje dhe jo rezistencë.

Por në klimën intelektuale në LDK të viteve ,90 papranueshmëria morale e nacionalizmit që vinte nga LPK-ja ishte më shumë luftë politike për eliminimin e tyre. Nacionalizmi etnik i LPK-së, sipas tyre, lidhej me luftërat e përgjakshme në Jugosllavi që LDK nuk ishte gati të fillonte në asnjë mënyrë.

Papranueshmëria e këtij nacionalizmi, në anën tjetër, ishte shndërruar në idealin e një “normaliteti” nacionalisto-politiko-intelektual, gjerësisht të dëshiruar.

Imitimi i një politike demokratike dhe liberale nga ana e LDK-së ishte një keqkuptim i madh për kohën. Ata kërkonin një mohim total të etno-nacionalizmit që kishte arrit fuqinë dhe popullaritetin maksimal në shpërbërjen e Jugosllavisë.

LDK me dëshirën e saj paqësore mohonte etno-nacionalizmin e studentëve për shkak të dhunës së papërftyrueshme që mund të ndodhte, ku mishërimi i saj të kombet tjera jugosllave zhyti ata në një luftë që më shumë ngjante në kasaphane.

LDk-ja vazhdonte dhe ishte e fokusuar në viktimizim kombëtar dhe vuajtje të pamertituara, sipas udhëheqjes së saj. Kështu e analizonin ata pafuqinë e tyre politike. Sjellja e tillë duke e prezantuar veten si viktimë, ishte firma e paburrërisë e populistëve nacionalistë të LDK-së.

Në kornizën e kësaj lufte demokratike brenda pushtimit, u bë një gjë e zakontë që pushtimi dhe rezistenca pasive të kqyreshin si dy anë të të njëjtës monedhë. Nga të dyja anët kishe një totalitarizëm. I pari ishte totalitarizëm me pushtetin e dhunës, që ishte i Serbisë,  kurse në anën tjetër, ishte dhuna morale që vinte nga pushteti moral i LDK-së.

Studentët ecnin rrugës dhe mbi supet e tyre kishin besnikërinë ndaj vetes por para kishin dy pushtetet.

Studentët u ulen në tokë të gjithë. Ishte një pamje rezistence e parë më herët në sheshin kinez. Ishte një rezistencë si e studentëve kinez në sheshin Tienanmen.

Ulja ishte si një vallëzim valësh deti, që nisi nga poshtë deri në majën ku nuk shihej më asgjë.

Vallëzimi kishte përballë dy pushtete!

I pari, pushteti i Serbisë, i doli në prit me vetura të blinduara, qindra policë të armatosur deri ne dhëmbë dhe një rrjetë e një autoblinde që po afrohej para fytyrës së udhëheqësve të Universitetit.

Të gjithë gazetarët dhe diplomatët po e shikonim këtë skenë nga afër. Pastaj, policia, filluan të hedhin gazlotsjellës për të shpërndarë mijëra studentë. Ia arritën t,i shpërndajnë për një kohë të shkurtër.

Në LDK, në zyrat e tyre bënin sehir me ngjarjen dhe ndjenin dhe gjithashtu, kishin një vuajtje plot kënaqësi nga ajo që po ndodhte.

Fakti që LDK nuk kishte organizuar asgjë, mbaj mend dhe kam para syve, keqardhjen e tyre dhe në fytyrat e tyre duke e përvjedhur heshtazi gëzimin e tyre. Mbaj mend shprehjen e fytyrave të tyre. E mbaj mend se pash një gëzim torturues tek shprehja e tyre. Ishte pikërisht ajo që nuk duhej. Ishte thjeshtë një gëzim i turpshëm.

Policia ndanë pesë nga ta dhe i futën në vetura. Për një kohë rekord. Nuk dihej se çka do të ndodhte me ta. Shpërndarja pastaj ndodhi kodrinave. Në qytet qindra- mijëra qytetarë ikën.

U kthyem urgjentisht në redaksi. Ishim të ndjekur të gjithë. Policia e dinte saktë se kush është fajtori kryesor për masovizimin dhe dhënien e kuptimit të asaj që po ndodhte. Ishte “Koha ditore” dhe stafi saj.

Fati jonë ishte se morëm të gjithë diplomatët në zyret tona. Ishin me qindra njerëz që kishin ardhur edhe për tu fshehur.

Nuk kaluan as pesë minuta, policë me helmeta thyen derën e hyrjes. Unë, dhe Luan Dobroshi u dolëm përballë. Thjeshtë, nuk pyetën fare. Na dhunuan dhe hynë të identiikonin secilin prej nesh. Gëzimi më i madh brenda dhunës ishte, se Nick Hill e shihte dhunën nga dora e parë.

“Unë, jam diplomat”, i tha policit në një serbishte të qartë.

Disa që ndiqeshin për tu dhunuar, kërcyen nga dritarja.

Fatos Berisha me kamerën e tij, që kishte një adhurim për Jugosllavinë dikur, po i shembej idhulli atij shteti para syve. Po e ndjekin atë! Kërceu nga kati i dytë, dhe nga frika theu këmbën. Shteti që ai e donte, në fundin e tij që po shkatërrohej në Kosovë, i kishte lënë një tattoo si dëshmi të dashurisë së gabuar për të.

Pas një kohe të shkurtë i kishin liruar të gjithë. Ejup Statovci kishte shkuar direkt në zyrë. E vizitova pas pak minutash. Ishte i lumtur që protesta kishte pas sukses. Por një goditje që kishte marrë pas në shpinë e kishte lënë pa frymë. Kishte dhimbje pore mbante krenaria e tij ende në këmbë.

Shkuam bashkë me Ylber Hysën dhe Ylber Bajraktarin për ta vizituar Bujar Dugollin. E kishin rrahur më së shumti. Në një banesë po përpëlitej nga dhimbjet sepse goditjet, sipas tij, ishin të forta.

Ishin kërcënuar shumë në zyrat e UDB-së, por rrahjet nuk i kishin marr aty. Goditjet  i kishin marrë kryesisht brenda në vetura derisa i kishin futur në zyrë për pyetje-takim informativ.

Kujdes ju të Kohës, më tha profa, se kanë bërë pyetje edhe për Ju dhe janë të mllefosur me JU, gjithashtu.

Ne vazhduam të shkruajmë për demonstratat. Vendosëm fotografi dhe një rrëfim të jashtëzakonshëm për ditën e 1 Tetorit. Të gjithë reporterët ndërkombëtarë ishin me ne dhe morëm të gjitha fotot e mundshme nga secili pozicion. Dorën në zemër, unë isha më i ekspozuari në këtë rrëfim. Sidomos për studentët dhe tregimin për ta.

Demonstrata përfundoi me lajmin e keq.

Studentët morën rrugën dhe nisën luftën. Iu bashkuan UÇK-së. Nuk kishte kthim prapa.

Ajo që ndodhi pastaj, është e ditur, por ende nuk është shkruar.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore