Shqipëria

Pse ia vlen t’i japësh edhe 120 euro për Sunny Hill?


E dini ç’dëgjova njerëzit të pëshpëritnin në natën e dytë të Sunny Hill Festival në Tiranë?

E kam blerë biletën vetëm për të parë Hardwell! Dua të dëgjoj një herë Afrojack nga afër se nuk i dihet kur na jepet prapë rasti!

Nuk e besoni?

Po sikur t’ju them se jo vetëm që natën e dytë të ngjarjes muzikore më të madhe të këtij viti në kryeqytetin shqiptar nuk pati “dezertorë” si ata të natës së parë me Action Bronson në aktin e fundëm, por kur ora shënonte 01:00 e 28 gushtit, turma rinore i kërkonte DJ-it me famë botërore, Hardwell, të mos e ndalonte muzikën?

Ja që ndodhi…

Një publik shumë më i kultivuar, shumë më i pjekur në moshë dhe shumë më energjik se sa ai i natës së parë, pa asnjë rezervë.

Dukej sikur të gjithë kishin pritur zbritjen në skenë të emrave ndër më të dëgjuarit të muzikës elektronike, për të dhënë çfarë kishin në shpirt. Shqiptarët, sa duket, e dashkan fort edhe muzikën elektronike!

Ndryshorja gjithsesi e madhe shumë ishte edhe në këtë kapitull të dytë të trilogjisë së “Kodrës së Diellit”…literalisht.

Ishin vetëm gjashtë muzikantë, të cilët zbritën në skenë.

Shqiptari Vin Veli nuk u kuptua pse ishte hequr nga lista. Ndoshta nuk ishte gjetur vendi për të!

Por situata filloi të ngrohej rreth orës 19:00 dhe kur të gjithë po pyesnin veten ç’do ndodhte erdhi goditja e parë elektrizuese.

Holandezi i parë (jo fluturues), Nick Leonardus van de Wall, i njohur në art si Afrojack, e shkatërroi tërësisht skenën për një orë me radhë dhe nuk la njeri pa u shkundur tërësisht, nga koka deri te këmbët.

Me një goditje “gjeniale”, publiku i natës së dytë, kishte “zënë mend” nga nata e parë dhe gjatë kohës kur Mark & Kremont apo Regard po performonin në skenë, jo pak iu drejtuan një “chill zone” të improvizuar për të marrë veten.

Fundja, në 23:40, ishte lajmëruar se në skenë ngjitej Hardwell, kush mund t’i vërë faj? Kishin paguar biletën vetëm për të disa…

Megjithatë, holandezi tjetër (fluturues në lartësi shumë të mëdha ky i dyti), nuk shpenzoi një sekondë të vetëm për t’ia hequr dyshimet publikut.

Ia paska vlejtur!

Po, po, edhe kjo u dëgjua në Sunny Hill Festival natën e dytë. Po flisnin për paratë, mbi të cilat të mos e fshehim, shqiptarët jo pak herë ankohen se bënë gabim që harxhuan për X apo dhanë lekët kot për Y.

Robbert van de Corput, i njohur në art si Hardwell, ka pasur luhatjet e veta kohët e fundit, mirëpo emri i tij në skenën muzikore të tingujve elektro-dance nuk vihen në diskutim, as janë vënë ndonjëherë.

Performanca dhe qartësia e tij muzikore ishin të frikshme, deri në detajin më minimal të lojës me drita apo objekteve piroteknike të përdorura.

Një surprizë ia kushtoi edhe publiku (jo i lodhur) në fund, kur njëzëri, të gjithë filluan të brohorisnin “We will rock you”, një prej remix-eve të famshme që ai luajti, me shpresën se mos po e kthenin në skenë.

Nuk ia arritën dot ta korrnin këtë fitore. Arritën ama të kenë fitoren e një publiku, të cilin edhe vetë DJ i njohur botëror e vlerësoi maksimalisht, pasi luajti edhe disa pjesë të reja, të papublikuara…la gjurmë.

Kështu që, ende pa nisur nata e tretë, përgjigja ndaj pyetjes qartësohet.

Pse ia vlen t’i japësh edhe 120 euro për Sunny Hill? E dini tashmë…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore