Lajme

Pse është kaq e rëndësishme telefonata Biden – Xi Jinping?


Telefonata e presidentit amerikan Joe Biden me Xi Jinping-un e Kinës nuk pritet të jetë thjesht një tjetër në stuhinë e vazhdueshme të diplomacisë telefonike.

Thirrja vjen në një pikë kthese për lidhjet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e shohin me shqetësim partneritetin e ri mes Xi Jinping-ut dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

Kjo edhe për faktin se vëzhguesit perëndimorë e konsiderojnë shqetësuese përgjigjen e Kinës ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Pekini, sakaq, ka krijuar një qëndrim të pasigurt. Nuk është as plotësisht mbështetës dhe as kundërshtar i drejtpërdrejt.

Në këtë pikë, Biden-i duket se shpreson ta deshifrojë dhe mundësisht, ta ndikojë gjatë bisedës.

Moment kritik

Biden-i do të flasë me homologun kinez në një moment kyç.

Referuar zyrtarëve amerikanë, Kina po peshon nëse do të ofrojë ndihmë ushtarake apo financiare për Rusinë, e cila e ka kërkuar atë pasi ushtria pëson humbje të mëdha në Ukrainë.

Por nëse Kina bie dakord, ajo mund të zbehë marrëdhëniet me Perëndimin për dekadat e ardhshme.

“Jemi të shqetësuar se ata po konsiderojnë të ndihmojnë drejtpërdrejt Rusinë me pajisje ushtarake për t’u përdorur në Ukrainë”.

Kështu ka thënë Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, duke konfirmuar atë që zyrtarët e tjerë amerikanë kishin paralajmëruar prej ditësh.

SHBA-të, tanimë, u kanë thënë disa aleatëve të NATO-s se besojnë që Kina ka njëfarë vullneti për ta mbështetur Rusinë, megjithëse Moska e ka mohuar këtë.

Ata besojnë se Xi Jinping-u ka qenë i shqetësuar nga pushtimi rus dhe performanca e ushtrisë ruse, e cila ka përjetuar pengesa logjistike dhe strategjike që nga fillimi i pushtimit.

Sepse u ndje i pasigurt teksa inteligjenca e vendit nuk ishte në gjendje të parashikonte se çfarë do të ndodhte paçka se SHBA-të paralajmëruan pushtimin javë përpara.

Mbështetjet e Kinës për Rusinë

Sipas zyrtarëve amerikanë, Kina nuk do të ishte e gatshme t’i siguronte Rusisë pajisje të mëdha sulmuese si tanke apo avionë.

Kina mund të dërgonte sende më të vogla si ushqime, municione, pjesë këmbimi ose pajisje mbikëqyrjeje.

Ama është ende e mundur që Kina ta ndihmojë Rusinë të zbusë efektin e sanksioneve perëndimore përmes mbështetjes financiare, megjithëse nuk ka gjasa që vendi të jetë në gjendje t’i zbusë ato plotësisht.

Prandaj dhe Biden-i shpreson t’i bëjë të qartë homologut anët negative të ndihmës në luftën e Rusisë, qoftë përmes ndihmës ushtarake apo financiare.

Blinken ka thënë se ai do të bëjë të qartë se Kina do të mbajë përgjegjësi për çdo veprim që ndërmerr për të mbështetur agresionin e Rusisë.

Gjerësisht, supozohet se Xi Jinping-u do të sigurojë një mandat të tretë historik. Dhe ai do të jetë veçanërisht i ndërgjegjshëm për rreziqet ekonomike që vijnë nga sanksionet dytësore.

Vitin e kaluar, tregtia mes Bashkimit Evropian dhe Kinës arriti në 800 miliardë dollarë dhe tregtia SHBA-Kinë ishte mbi 750 miliardë dollarë.

Kurse tregtia me Rusinë ishte më pak se 150 miliardë dollarë.

Kështu që mbetet pjesë e debatit se çfarë hapash do të ndërmarrin SHBA-të kundër Kinës nëse ajo vendos të ndihmojë Rusinë.

Partneritet gjakftohtë Rusi-Kinë

Kohët e fundit është vënë re afërsia e Putin-it dhe Xi Jinping-un. Edhe përpara nisjes së luftës.

Javën e kaluar, drejtori i CIA-s Bill Burns ka pohuar se partneriteti i kishte rrënjët në “shumë arsye gjakftohta’.

Kur Putin-i vizitoi Pekinin për bisedime, të dy udhëheqësit deklaruan se marrëdhënia e tyre “nuk kishte kufij”.

Çka parashikonte mbështetjen e Kinës ndaj kërkesës qendrore të Rusisë ndaj Perëndimit, me të dyja palët që “kundërshtonin zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s”.

Partneriteti pa kufij, prej asaj kohe, është testuar teksa Xi Jinping-u peshon se si t’i përgjigjet luftës së Rusisë në Ukrainë.

Përgjigja në zhvillim e Pekinit është monitoruar nga afër nga Shtëpia e Bardhë. Dhe zyrtarët amerikanë kanë parë sinjale të përziera.

Kur Kina abstenoi nga një votë qortuese e Kombeve të Bashkuara kundër Rusisë, ajo u pa si një shenjë e distancimit..

Por shenja të tjera kanë treguar për një qëndrim më akomodues, duke përfshirë amplifikimin e keqinformimeve ruse nga Kina.

Kjo mungesë e denoncimit është tregues i mjaftueshëm se ku qëndron besnikëria e Kinës. Të paktën për zyrtarët amerikanë.

Shqyrtuesit në Azi të reagimit të Kinës

Ngado, pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar ankth.

Një vend që e ka ndjerë ankthin nga afër është Tajvani, ishulli vetëqeverisës i pretenduar nga Kina.

Kohët e fundit, Pekini ka rritur fluturimet ushtarake pranë ishullit dhe ka paralajmëruar kundër mbështetjes amerikane.

Në ditët e para të konfliktit në Ukrainë, ekzistonte frika se pushtimi i Rusisë mund të sillte një pushtim kinez të Tajvanit.

Që atëherë, zyrtarët amerikanë i kanë minimizuar paralelet.

Pushtimi i Rusisë ka nxitur jo vetëm Perëndimin dhe NATO-n, por edhe vendet në Azi.

Çka vjen si një rezultat për të cilin Xi Jinping-u ishte i papërgatitur, duke supozuar se interesat ekonomike do të pengonin vendet e atjeshme nga vendosja e sanksioneve të ashpra.

Historia Biden – Xi Jinping

Biden-it duket se i pëlqen t’i përmendë orët e gjata telefonike të kaluara me Xi Jinping-un, që kur të dy shërbenin si zëvendëspresident në vendet e tyre.

Madje, ka pohuar se ka kaluar më shumë kohë me të se me çdo lider tjetër botëror.

Por ata nuk janë takuar ballë për ballë që kur Biden-i mori detyrën dhe homologu kinez nuk është larguar nga Kina gjatë pandemisë.

Kjo i ka takuar liderët në video-konferenca ose në telefon.

Bashkë me ekipin, Biden-i ka punuar për të krijuar një politikë të konkurrencës së menaxhuar me Kinën.

Ata kanë lënë në fuqi tarifat e vendosura nga ish-presidenti Donald Trump dhe kanë kritikuar Kinën për mospërmbushjen e angazhimeve nga një marrëveshje tregtare e kohës së Trump-it.

Biden-i, para luftës, synonte të ripërqendronte politikën e jashtme amerikane drejt Azisë, ku sheh konkurrencën midis SHBA-ve dhe Kinës si një sfidë përcaktuese të shekullit të ardhshëm.

E teksa kriza e Ukrainës ka preokupuar Shtëpinë e Bardhë, zyrtarët këmbëngulin se janë ende në gjendje të ruajnë vizionin e tyre mbizotërues.

 

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore