Kosova

PSD publikon aktvendimin e Gjykatës: Arrestimi është bërë në mungesë të urdhërarrestit


Momenti i arrestimit të Dardan Molliqaj nga Policia e Kosovës

Zyrtari i Partisë Socialdemokrate, Dren Kukaj, pa publikuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me rastin e arrestimit të kryetarit të kësaj partie, Dardan Molliqaj, duke potencuar se aktvendimi dëshmon se “Policia arrestimin spektakular në hapsirat e televizionit T7 e ka bërë në mungesë të një urdhërarresti”.

Prandaj PSD, për të njëjtin aktvendim do të parashtrojë edhe ankesë pranë Gjykatës së Apelit.

“Kryetari i PSD-së u privua nga liria kundërligjshëm. Masën e shqiptuar vlerësojmë si jo proporcional në raport me veprën e dyshuar penale dhe të gjitha rrethanat e këtij rasti”, ka shkruar Kukaj në rrjetin e tij social në Facebook.

Sipas kësaj partie, Prokuroria ka pranuar një kallëzim penal për këtë vepër një ditë pas arrestimit të Molliqajt.

“Gjykata vërtetoi se ftesat e Policisë nuk janë dorëzuar në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale. Të gjithë këtë veprimtari të orkestruar e të paautorizuar me ligj do ta denoncojmë pranë shumë organizatave që merren me të drejtat e njeriut. Për më tepër, këto shkelje do i adresojmë përmes të gjitha mundësive ligjore që i kemi në dispozicion”, ka shtuar ai.

Ndryshe të enjten e tre shkurtit, është liruar nga paraburgimi kryetari i PSD-së, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë, nuk ka përfillur kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit dhe i ka caktuar atij masën e sigurisë.

Dardan Molliqaj në protestën e 29 janarit kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

Molliqaj dhe Adem Megjuani ishin arrestuar për përfshirje në sulm ndaj personit zyrtar, të ndodhur në protestën e 29 janarit të këtij viti, e cila u mbajt kundër shtrenjtimit të rrymës.

Sipas policisë, Molliqaj ishte kërkuar në adresat e banimit dhe policia nuk e kishte hasur të njëjtin dhe i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare, por i dyshuari nuk e kishte përfillur.

Kështu ai ishte arrestuar në orët e mbrëmshme të së martës ndërsa po futej drejt zyrave të televizionit, T7, ku ishte i ftuar për të diskutuar lidhur me protesën e fundit kundër shtrenjtimit të energjisë.

Në anën tjetër PSD, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të kryetarit të saj, Dardan Molliqajt.

Madje, PSD ka pretenduar se Molliqajt nuk i është treguar as fletëarrest në rastin e arrestimit, e madje as me të arritur i prangosur.

Sipas tyre, arrestimi i Molliqajt, është arrestim politik.

“Arrestimi i tij, me 60 policë, pak para emisionit televiziv, është politik. Pushteti dëshiron të hesht politikën kritikuese”, kishin deklaruar nga PSD.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore