Kosova

PSD me peticionin qytetar për faljen e gjobave të pandemisë COVID-19


Partia Socialdemokrate e Kosovës nga e premtja ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin qytetar për faljen e gjobave të pandemisë COVID-19. Për gjatë një jave do të jenë në sheshet e qyteteve të Kosovës.

Nga ky subjekt politik ka folur Nol Nushi, i cili ka thënë se me anë të këtij peticioni qytetarë synojnë që të mbledhin mbi 10mijë nënshkrime në mënyrë që të dërgojnë në Kuvendin e Kosovës një projektligj i cili ka për qëllim faljen e gjobave të shqiptuara në emër të pandemisë Covid-19 për qytetarët dhe për bizneset e vogla.

“Ky nuk është thjesht një peticion për të parë se sa njerëzit janë të kënaqur e të pakënaqur me këto gjoba, por ne si qytetar kemi shkruajtur projektligj të ri i cili me mbledhjen e nënshkrimeve, me mbi 10 mijë minimumi do t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës dhe aty pastaj do të procedohet që të votohet në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës”, tha ai.

Sipas këtij projektligji falja e gjobave do të bëhet për periudhën 15 mars 2020 deri më 15 maj 2021, ku për këtë periudhë Nushi ka thënë se janë shqiptuar minimalisht 200 mijë gjoba ndaj qytetarëve dhe subjekteve afariste.

“Do të parashihet falja e gjobave edhe për biznesin e vogël dhe të mesëm të kategorizuar sipas ligjeve të Kosovës në fuqi”, deklaroi ai.

Sipas Nushit ky projektligj i synuar të arrij në Kuvend me anë të peticionit qytetarë nuk parasheh që të falen subjektet politike dhe bizneset e mëdha nga gjobat, pasi që konsideron se janë subjektet politike pikërisht ato që kanë rritur numrin e të infektuarve në vend, ndërsa bizneset e mëdha kanë përfituar edhe gjatë kohës së pandemisë.

“Secila parti në Kosovë ka shkelur bash secilën masë, duke e rrit numrin dukshëm të infektimeve… si pasojë e partive politike në fushatë, numrat janë rritë e për pasoj edhe qytetarë që janë dënuar më shumë, prandaj deri më 15 maj kemi konsideruar që ata të falen, kurse subjektet nuk duhet të falen as brenda kësaj periudhe”.

Kurse Ligji për pandeminë COVID-19 ka hyrë në fuqi më 26 gusht 2020. Ndërsa dënimet për qytetarë bazuar në Ligjin për Pandeminë nisin nga 35 deri në 2 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore