Lajme

PSD më 29 janar proteston kundër shtrenjtimit të rrymës: “Qeveria është rreshtuar me monopolin privat”


Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj gjatë një konference për media ka bërë të ditur se partia të cilën ai e drejton do të organizojë një protestë të shtunën e 29 janarit me fillim nga ora 14:00 për të kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Sipas PSD-së, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti në këtë rast është rreshtuar me monopolin privat, pra Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).

“Qeveria ka marrë anë. Është reshtuar me bizneset e mëdha private. Të vetmit që nuk do të preken nga rritja e rrymës. Është koha të marrim anë edhe ne. Ne qytetarët që do t’ua paguajmë rrymën oligarkëve. Është koha të organizohemi kundër kësaj padrejtësie”, thuhet në komunikatën e PSD-së.

“KEDS-it po i bën zgjidhje, kurse qytetarëve diciplinë e shtrenjtim. Si zëdhënës i KEDS-it, kryeministri po pyet ‘ku ti marrim paratë për të paguar importin e rrymës?’ Por nuk po bën pyetje nga pozicioni i qytetarëve ‘me çka të ngrohemi ne, nëse jo me rrymë? Ku t’i marrim paratë për ta paguar rritjen e çmimit?’”, vazhdon komunikata.

Ndryshe gjatë ditës së hënë të 17 janarit ZRRE ka publikuar dy raporte konsultative ku njëra nga këta ka të ka të bëjë me kthimin e bllok tarifave.

Sipas propozimit të ZRRE-së i cili reflekton kostot e ofrimit të furnizimit me energji elektrike, është që tarifat e shërbimit të energjisë elektrike të rriten për 9% për komponentën e energjisë të tarifave për konsumatorët biznesorë dhe për nivelin e konsumit deri në 600 kWh të konsumatorëve shtëpiak.

“Niveli i konsumit mbi 600 kWh, që nuk mund të mbulohet nga kapacitetet vendore, furnizohet me tarifë prej 0.21 euro/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.09 euro/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët”, thuhet në raportin në fjalë.

Bazuar në këtë propozim fatura me konsum mesatar prej 450 kWh do të rritet për 2.29 euro në muaj, ndërsa fatura me konsum deri në bllok për 3.06 euro në muaj.

Rritja për konsum që tejkalon bllokun 600 kWh është më e ndjeshme për shkak se reflekton çmimin e importit dhe për konsum mujor 800 kwh rritet për 26.98, euro ndërsa për konsum mujor prej 1000 kWh rritet me 50.89. euro.

Pra sipas propozimit të ZRRE-së nëse një konsumator i cili ka shpenzuar 1000 kWh energji elektrike dhe ka paguar 58.52 euro tash pas rritjes do të duhet të paguaj 109 euro.

Pas kësaj Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se është zotuar të ndaj 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset vendore pas propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e çmimit të rrymës.

Sipas një njoftimi zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë subvencionimi i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznesor të mbetet me 0 për qind rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiak deri në konsumin prej 600 kilovat për orë të mbetet me 0 për qind rritje.

Ndërsa sipas këtij njoftimi tarifa e propozuar nga ZRRE për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh të reduktohet, duke pasqyruar çmimin e importit për këta konsumatorë dhe promovuar efiçiencën e energjisë.

“Gjatë kësaj kohe të jashtëzakonshme, qëllimi primar i subvencionit të ndarë nga Qeveria e Kosovës është për të mbrojtur veçanërisht konsumatorët e ndjeshëm nga ndikimi i çmimeve më të larta të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore