Lajme

PSD kundërshton Ligjin e ri për KPK-në, tregon se si Qeveria po dëshiron ta kontrollojë këtë institucion të pavarur


Pamje nga aksioni simbolik i PSD-së

Partia Socialdemokrate e Kosovës përmes një aksioni simbolik në oborrin e Kuvendit të Kosovës, të enjten, ka kundërshtuar draftin e tretë të Ligjit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, meqë dy draft-ligjet parapake u rrëzuan fillimisht nga Komisioni i Venecias dhe më pastaj nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Në vlerësimin e PSD-së, Qeveria e Kosovës me fizkultura matematikore përmes draft-ligjit të Këshillit Prokurorial po dëshiron ta kontrollojë këtë institucion të pavarur.

Anëtari i PSD-së, Zgjim Hyseni, në një prononcim për media pas aksionit simbolik, ka potencuar se Qeveria e Kosovës me draftin aktual po bën një hile kur po cakton zgjidhjen e anëtarëve të Këshillit Prokurorial, duke e rritur numrin e anëtarëve në 18 për një periudhë tranzicionale.

“Me draftin aktual, katër zgjidhen nga radhët e prokurorëve, kurse tre janë prej Kuvendit me shumicë të thjeshtë. Kësaj radhe e kanë zhvendosur hilen. Tash hilja është te një periudhë tranzicionale. Këshilli aktual i ka 13 anëtarë, e kanë rritur këshillin aktual për periudhën tranzicionale në 18 anëtarë, plus pesë anëtarë secili prej tyre ka me u zgjedh prej Kuvendit”,

Pra, kështu sipas Hysenit, Qeveria e Kosovës po dëshiron të krijojë shumicën në mënyrë që me e zgjedh kryeprokurori.

“E kryeprokurori është një prej anëtarëve në atë te përbërja katër me një, pra matematika e tyre është një e kam në mendje, e zgjedhi tash në mënyrë që kur bëhen katër me tre, me qenë katër që i kontrollojnë, pra po dëshirojnë me zgjedh kryeprokurorin duke e rritur numrin aktual në këtë periudhën tranzicionale”.

Zgjim Hyseni nga PSD

Hyseni, në konferencë për media gjithashtu ka shpjeguar tendencën e Qeverisë së Kosovës se si ka dëshiruar ta fut në kontroll Këshillin Prokurorial përmes dy-draft ligjeve paraprake.

“Në draftin e parë i kanë rënë shkurt, kanë thënë katër anëtar i përzgjedhim nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë edhe tre prej prokurorëve. Për të reduktuar, kjo i bie që kryeprokurorin me mund me ta zgjedh kryeministri”.

“Pasi Komisioni i Venecias ju ka asgjësuar këtë ligj, strategjia është bërë pak më perfide, shërbëtor me shkollë të Albin Kurtit thanë se tash shumica do të jetë e prokurorëve, sepse shumica me qenë e zgjedhur prej politikës, nuk është as në Serbi as në Shqipëri që ne i konsiderojmë vende autoritare”.

“Por, pa u pajtuar anëtarët e zgjedhur prej politikës asnjë vendim me rëndësi nuk mund të merret, praktikisht këta me draftin e dytë i kanë dhënë veto anëtarëve të zgjedhur prej politikës”.

Kjo lojë, sipas Hysenit, është cenim i balancit dhe i autonomisë së sistemit të drejtësisë.

“Edhe këtë draft ju ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore