Lajme

PSD-ja e quan Agjencinë për Informim dhe Privatësi, “institucion të kapur nga VV-ja”


Aksioni i PSD-së.

Partia Socialdemokrate përmes një aksioni të mbajtur para Agjencionit për Informim dhe Privatësi të mërkurën e 12 prillit ka kundërshtuar gjobën nga ky institucion që është shqiptuar ndaj kësaj partie.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj deklaroi para gazetarëve se gjobë kanë pranuar edhe nga Policia e Kosovës.

Sipas tij, komisionerja Krenare Sogojeva-Dermaku “është militante e VV-së”.

“Arsyeja e këtij aktiviteti është një gjobë prej 20 mijë eurove që Agjensioni për Privatësi ka shqiptuar ndaj Partisë Socialdemokrate. Më lejoni t’i them disa gjëra; kapja e institucioneve  të pavarura tashmë është shndërruar në instrumente vepruese”.

“Ky institucion siç mund ta dini drejtoresha e këtij institucioni është një militante politike e Vetëvendosjes, e cila është emëruar nga kjo Qeveri”, u shpreh Molliqaj.

Aksioni i PSD-së.

Më 25 mars, aktivistë të Partisë Socialdemokrate kanë hedhur tym të zi para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës për të shprehur indinjatën e tyre me ekzekutivin aktual.

Të njëjtit paraprakisht, kanë hequr flamujt e Kosovës para ndërtesës së Qeverisë dhe kanë vendosur flamuj të bardhë si simbol dorëzimi.

Ndërsa tymi i zi po mbulonte ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, gjatë fjalimit të tij para protestuesve kishte thënë se duhet të vazhdohen përpjekjet për të ndaluar qeverinë e cila u dorëzua para nevojës për të mbajtur pushtetin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore