Lajme

Me tymin e zi mbi Qeverinë përfundon protesta e PSD-së kundër Asociacionit


Protesta e organizuar nga PSD-ja

Aktivistë të Partisë Socialdemokrate kanë hedhur tym të zi para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës për të shprehur indinjatën e tyre me ekzekutivin aktual.

Të njëjtit paraprakisht, kanë hequr flamujt e Kosovës para ndërtesës së Qeverisë dhe kanë vendosur flamuj të bardhë si simbol dorëzimi.

Ndërsa tymi i zi po mbulonte ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, gjatë fjalimit të tij para protestuesve ka thënë se duhet të vazhdohen përpjekjet për të ndaluar qeverinë e cila u dorëzua para nevojës për të mbajtur pushtetin.

“Asgjë nuk ka ndryshuar në Kosovë, as në Serbi, që me e ndryshu qëndrimin Kosova. E vetmja gjë që ka ndryshuar, është që kryeministri tash po e dëshiron pushtetin më shumë se sa shtetin”, ka thënë ai.

“Zajednica” si emër alternativë për Asociacionin, sipas Molliqajt, është plasuar në publik nga vetë Albin Kurti, vetëm e vetëm për të sulmuar pushtetarët.

“Tani që e ka vendosë me e themelu, nuk po e quan Zajednicë e Asociacion, por vetëmenaxhim. Albini ia ka ndërru vetës mbiemrin, nga Kurti, Albini sot e ka mbiemrin Zajednica, dhe është Albin Zajednica”.

Tymi i zi i hedhur në ndërtesën e Qeverisë, sipas PSD, e ka një simbolik.

“Ky është tym i zi sepse ne besojmë që kjo qeveri e ka zymtësuar perspektivën e Kosovës. Ftojmë qytetarët që të kundërshtojnë këtë marrëveshje, e cila paraqet zymtësi dhe gjithçka tjetër”.

Marrëveshja, sipas Molliqajt, qartësisht parasheh autonomi territoriale për komunitetin serb në Kosovës në njërën anë dhe autonomi ose zona të veçanta që kanë karakter ekstraterritorialitet përreth Kishave dhe Manastireve Ortodokse.

Molliqaj gjatë fjalimit të tij ka folur edhe për idenë e korrigjimit të kufijve.

“Refuzimi i marrëveshjes së ripërcaktimit të kufijve, duke etiketuar Shtëpinë e Bardhë dhe duke përjashtuar Luginën e Preshevës e në anën tjetër duke e pranuar Zajednicën në vilën e Titos, nuk është e rastësishme sepse kur e refuzoi ripërcaktimin e kufijve, automatikisht e refuzon bashkimin, ndërsa kur e afirmon Zajednicën, s’ka se si përveç se ta afirmosh nostalgjinë ndaj Titos”.

“Albin Zajednica” – nis protesta e PSD-së kundër Asociacionit

Me parulla si “Albin Zajednica”, “Hordhitë Zajednicase pushtuan Qeverinë” e me fotografi të mëdha me fytyra të kryeministrit të Kosovës me hundën të zgjatur si djali prej druri (Pinokio), një numër i konsiderueshëm i qytetarëve kanë nisur të marshojnë drejtë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, nga sheshi “Zahir Pajaziti” në protestën e organizuar nga Partia Socialdemokrate e Kosovës.

PSD po proteston kundër marrëveshjes së arritur nga Kurti për normalizim raportesh me Serbinë, bazuar në propozimin franko-gjerman, me 27 shkurt dhe aneksin e pajtimit për zbatim arritur me 18 mars në Ohër.

Në protestën në fjalë po marrin pjesë edhe zyrtarë të Nismës Socialdemokrate si dhe anëtarë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pjesëmarrës i protestës është edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ndonëse partia e tij ka refuzuar ftesën e PSD-së për pjesëmarrje në protestë.

Protestuesit gjatë protestës kanë bërë thirrje dhe për dorëheqjen e Kurtit.

Më herët, Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe mbarëvajtjes së protestes që so të mbahet sot, kanë bërë përgatitje operacionale policore.

“Lidhur me këtë PK-ja, ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët, mbrojtjen e pronës dhe ofrimin e sigurisë në trafik”, thuhej në komunikatë.

Çfarë ndodhi?

Kosova dhe Serbia, gjegjësisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me 27 shkurt u pajtuan mbi parimet e më pastaj me 18 mars për planin e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo Marrëveshje në asnjë nga nenet e saj nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu Ujdia detyron palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Kryeministri Kurti – njëri ndër kundërshtuesit kryesor të Asociacionit – në një intervistë për televizionin publik, RTK, ka pranuar se Marrëveshja e arritur, e cila është derivat i propozimit franko-gjerman, parasheh formimin e Asociacionit.

Të njëjtën konfirmim Kurti e ka bërë edhe gjatë fjalimit të tij të 25 minutësh përpara ligjvënësve kosovarë në seancën e fundit plenare të Kuvendit të Kosovës.

Neni 10 i Marrëveshjes, e cila parasheh zbatimin e të gjitha ujdive paraprake të dala nga dialogu, sipas Kurtit, gjendet aty për shkak se Kosova ka obligime ligjore, obligime të cilat sipas ndërkombëtareve nuk mund të “përdhosen” edhe kur ndryshojnë qeveritë.

“Kosova i ka obligimet e veta ligjore. Unë i kam kundërshtuar disa nga marrëveshjet në të kaluarën dhe vazhdojë të punojë për rezultat më të mirë. Por, aleatët tanë na kujtojnë se marrëveshjet janë arritur në emër të shteteve tona me detyrime edhe kur qeveritë ndryshojnë”, pohoi Kurti, fillimisht.

Kosova, sipas Kurtit, nuk mund t’i shmang detyrimet nga traktatet ndërkombëtare, pasi në të kundërtën ajo do të trajtohet si shtet joserioz në sytë e ndërkombëtareve.

PSD u ka kërkuar mbështetje të gjitha partive opozitare (përveç Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës) që po e kritikojnë po ashtu marrëveshjen mes Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Molliqajt i është përgjigjur pozitivisht vetëm Nisma për Kosovën, partia e udhëhequr nga Fatmir Limaj, por jo edhe dy partitë e mëdha opozitare parlamentare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Marrëveshjen ashpër e kanë kritikuar LDK e PDK në seancën raportuese të Kurtit në parlament, por protestës s’kanë vendosur t’i bashkohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore