Lajme

PSD fton Kurtin të votojë për bashkim kombëtar


Aksioni simbolik i PSD-së.

Partia Socialdemokrate, i ka bërë ftesë Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, që të votojë në referendum për bashkim kombëtar.

Kjo ftesë i është adresuar Kurtit përmes një aksioni simbolik, që është zhvilluar para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Anëtari i kësaj partie, Nol Nushi, ka deklaruar se ia kanë mundësuar teknikisht kryeministrit që ta shpreh vullnetin e tij.

“Po e presim Kurtin që të vijë nga zyra e tij dhe të votojë. Ne e dimë se Kurti i ka 700 punë, por besoj se punë ma të rëndësishme se bashkimi kombëtar nuk ka”, u shpreh Nushi para mediave.

Anëtari i PSD-së, Nol Nushi

Nushi ka thënë se kjo kërkesë për Kurtin vjen pasi që i pari i ekzekutivit, Kurti, prej kohësh kishe shpallur vullnetin politik për bashkim kombëtar, dhe se fundmi këtë çështje e ka ri-aktualizuar me deklaratat e tij.

“Kemi vendosur një pikë votimi ku mund të votohet për referendumin për bashkimin me Shqipërinë. Kjo është nis nga deklaratat e Kurtit, i cili thoshte se do të votonte për bashkim, nëse do të kishte një referendum paqësor dhe demokratik”, tha Nushi.

“Kjo pikë votimi është vetëm për Kurtin”.

Çka ka deklaruar Kurti?

Kryeministri Kurti, pati thënë për “Monocle”, se nëse do të prezantohej ndonjë referendum në formë demokratike për bashkim me Shqipërinë atëherë do ta votonte atë.

“Vetëm nëse do bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike. Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete por kemi të njëjtën gjuhë dhe jemi një komb. Kur e deklaruam pavarësinë, e deklaruam kundër Serbisë dhe jo kundër Shqipërisë”, thoshte Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Madje, Kurti ka theksuar se është votuar nga qytetarët për të hapur vende të reja pune e ta luftojë korrupsion.

Sipas tij, këto janë prioritetet e qeverisjes së tij gjatë këtij mandati, pa përjashtuar bashkimin me Shqipërinë.

“Në këtë mandat ky është prioriteti im, por në të ardhmen sigurisht që nuk do ta përjashtoja mundësinë, megjithatë mendoj se për një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon, mënyra më e shpejt dhe më e mirë përpara në të ardhmen është që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në BE përnjëherë, disa s’duan të hyjnë në NATO por Kosova po”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore