Lajme

Protestojnë Sindikatat e Bashkuara të Kosovës


Një nga protestat e BSPK-së

Rritja e pagave është një nga arsyet pse Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) do të protestojnë këtë të premte.

Përveç pagave sindikalistët e pakënaqur po kërkojnë edhe zbatimin e Ligjit për sigurimin shëndetësor si dhe ndryshim-plotësimin e Ligjit për skemat pensionale.

“100€ nga buxheti i shtetit për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, përfshirë edhe punëtorët e ndërmarrjeve publike, deri në përmbushjen e kërkesave”, është një nga kërkesat tjera të cekura në njoftimin e Sindikatave të bashkuara.

“Përcaktimi i pagës minimale, miratimi i Ligjit për Zyrtarët Publikë, miratimi i Ligjit për Paga, nisja e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, nënshkrimi i marrëveshjes kolektive gjithëpërfshirëse, amendamentimi-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, hartimi dhe nënshkrimi i marrëveshjes kolektive gjithëpërfshirëse”.

Protesta e thirrur nga PSPK do të nis nga or 11:30 para Bibliotekës Kombëtare në drejtim të Qeveris së Kosovës deri tek sheshi Skënderbeu, “ku para ndërtesës së qeverisë, partnerit social do t’i parashtrohen publikisht kërkesat e arsyeshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës”, shkruan në njoftimin e BSPK-së.

Kjo protestë u organizua tre ditë më parë nga përfaqësuesit e federatave sindikale në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës të cilët në njoftimin për medie kishin cekur se do të kujdesen që protesta të zhvillohet e qetë.

BSPK së fundi kishte protestuar edhe më një maj.

Kryetari i BSPK-së Avni Ajdini në këtë protestë kishte adresuar kërkesat për sigurinë dhe shëndetin në punë, ngaqë në vazhdimësi është duke u rritur numri i viktimave në vendin e punës.

Ligji për pagat në Kosovë

Qeveria e Kosovës, në vitin 2019 e drejtuar në atë kohë nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradianaj, pati dërguar projektligjin për pagat në Kuvend, i cili ishte miratuar.

Ligji parashihet ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë. Përmes këtij ligji, një mësimdhënësi të shkollës fillore do t’i rritej paga nga 470 euro në 612 euro, ndërsa një mjeku specialist nga 600 euro në 1 mijë e 195 euro.

Edhe për policinë edhe doganat ishin paraparë ngritje pagash, por jo edhe për zjarrfikësit.

Një protestë e punëtorëve në Prishtinë.

Por, institucioni i Avokatit të Popullit, në dhjetor të po atij viti, e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik.

Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të jyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Që nga korriku i viti 2019 e deri në mars të vitit 2021, Kosova ka pasur katër qeveri të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore