Lajme

Protestohet më 1 maj nga SBASHK-u


Greva në arsim: Foto nga Albanian Post.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka paralajmëruar protestë më 1 maj, kjo pasi sipas tyre Qeveria e Kosovës ka qasje të keqe ndaj punëtorëve të arsimit dhe të tjerëve.

Lajmin e ka bërë të ditur SBASHK-u përmes një komunikate për media.

“Qeveri ju bëjmë apel ndryshoni qasjen e keqe ndaj punëtorëve të arsimit dhe të punësuarve tjerë në sektorin publik e privat dhe kështu do të parandaloni veprimet tjera sindikale”.

“Në qeverisjen tuaj gjërat ndryshuan dhe ju i nderuari Kryeministër, por edhe ministri Murati e ministrja Nagavci keni qasje të keqe ndaj punëtorëve të arsimit dhe kërkesave të tyre legjitime. Tani, si për inat, kolegët nga sindikatat e arsimit të vendeve të rajonit po na lavdërohen me pagat e ngritura vazhdimisht, që dallojnë shumë krahasuar me pagat në Arsimin Parauniversitar të Kosovës”, është thënë nga SBASHK-u.

Nga kjo sindikatë është thënë se po krenohen edhe kontratat e tyre kolektive për ligjin për sigurimin shëndetësor, për atë skemave pensionale dhe për kushtet e punës.

“Ju vepruat krejt ndryshe. Punuat Ligjin për paga që nuk realizoi pritjet tona të arsyeshme. Ju lëvizët në mënyrë ironike vlerën e koeficientit të pagave. Ju nuk e bëtë Ligjin për sigurime shëndetësore”.

“Ju bëtë ndryshime e plotësime në Ligjin për skemat pensionale dhe, si me qëllim, mohuat të drejtën e fituar nga neni 8, paragrafi 6 që vitet e 90-ta i pranonte arsyeshëm si vite kontributdhënëse”.

Të njëjtit konsiderojnë se qeveria s’ka bërë asgjë për përmirësimin e kushteve në arsim.

“Ju paralizuat punën e Këshillit Ekonomik Social. Ju nuk doni të nënshkruani tani e sa kohë Marrëveshjen Kolektive që garanton të drejtat e punëtorëve në sektorin publik dhe atë privat. Si reagim i kësaj qasje të keqe ndaj punëtorëve të arsimit dhe të tjerëve do të ketë protestë më 1 maj”, thuhet në komunikatë.

Edhe në të kaluarën SBASHK-u kishte kritikuar Qeverinë e Kosovës, sa i përket Ligjit të skemave pensionale dhe se nuk ka konsultuar palët për ndryshimin e këtij ligji.

Duke thënë se Qeveria nuk është duke bashkëpunuar dhe se edhe me ndryshimet e reja, në Ligjin për skemat pensional ka prapë diskriminim.

Sipas SBASHK-ut, me këto ndryshime preken ligjet tjera, siç është rasti me Ligjin për statutin e punëtorëve të arsimit të viteve të 90-ta, i cili si vite kontributdhënëse ua njihte atyre që punuan në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës kohën nga viti shkollor 1989 e deri më 31 tetor 1999.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore