Shqipëria

Protestë në Morinë kundër masave anti COVID të Qeverisë së Kosovës


Morinë, pika kufitare Kosovë-Shqipëri

Qytetarë të rrethit të Kukësit kanë njoftuar se të hënën do të protestojnë pranë doganës së Morinës, pasi Qeveria Kurti ndërmori masa të njëanshme ndaj qytetarëve të Shqipërisë dhe atyre që dëshirojnë të hyjnë në Kosovë, kështu duke penguar veçanërisht qarkullimin e qytetarëve që punojnë në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka vendosur masa të rrepta sa i përket qytetarëve që dëshirojnë të hyjnë në Kosovë, duke ua kërkuar tri doza ose dy doza dhe testin PCR, i cili kushton hiç më pak se 30 euro.

Nga këto masa janë prekur më së shumti qytetarët nga Shqipëria në veçanti ata të rrethit të Kukësit, të cilët kanë bërë thirrje që nesër në orën 10:00, të protestohet pranë doganës së Morinës, me kërkesën e qarkullimit të lirë të shtetasve të Shqipërisë.

Ndërsa, ka pasur reagime të shumta, duke i konsideruar këto masa të pa logjikshme ku tashmë Kosova është bërë vatër e vetë infektimit.

Qytetarë të shumtë që ia mësynë Kosovës u përballën me ndalim e kthim prapa pasi kërkoheshin 3 dozat e vaksinës në mënyrë që të lejohej hyrja në Kosovë.

E për këtë kishte reagime të shumta, që kritikonin ashpër Qeverinë Kurti për këtë vendim, duke thënë se ishte i panevojshëm pasi për hyrjen në Shqipëri, dhe në vendet fqinje nuk ka ndalesa të tilla.

“Shtrëngimi i masave të udhëtimit s’ka asnjë rol mbrojtës në këtë fazë epidemike në të cilën gjendet Kosova! Pse?! Sepse me këtë marsh pozitiviteti që kemi, ne tashmë jemi vet burim i qëndrueshëm dhe i vetëmjaftueshëm infeksioni”.

“Çka dmth, se nuk qon peshë më se kush vjen e kush hyn në vend”, është shprehur mjeku Visar Berisha.

Ndërsa ka pasur reagime edhe nga qeveria e Maqedonisë së Veriut, ku është kërkuar nga qeveria e Kosovës që ri-shikohen masat e vendosura sa i përket qytetarëve që vendosin të hynë në Kosovë nga ky shtet.

Lidhur më këtë është deklaruar edhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

Ai tha se ky vendim i befasoi dhe nuk e kupton arsyen e një mase të tillë, pasi që gjendja me Covid-19 është e njëjtë në të dyja vendet.

“Vendimi i fundit i autoriteteve shëndetësore kosovare na befasoi dhe nuk e kuptoj arsyen për një masë të tillë, sepse situata shëndetësore është e njëjtë si në Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut a po edhe në Shqipëri, ndërsa OBSH dhe vendet perëndimore po shqyrtojnë largimin e kufizimeve. Shpresoj që Qeveria e Kosovës do ta shqyrton këtë vendim gjatë javës që vjen dhe do të rikthen masat paraprake”, thotë ai.

Faik Hoti, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë

Para dy dite, Qeveria e Kosovës ka fuqizuar masat e reja anti COVID, të propozuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Këto masa përfshijnë kufizimin e lëvizjes nga ora 22:00 deri në orën 05:00, ndërsa edhe veprimtaria e gastronomisë do të lejohet të zhvillohet deri në orën 21:00.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti i cili tha se këto masa kundër COVID-19 synojnë ngadalësimin e përhapjes së variantit Omicron si dhe parandalimin e mbingarkesës së klinikave me pacientë.

“Diskutimet dhe propozimet e djeshme në Komitetin për Vlerësim dhe Koordinim kundër COVID-19 në fakt MSH i ka transformuar tashmë në propozime të cilat shkojnë sot në Qeverinë e vendit dhe pritet që sot gjatë ditës së miratohen masat e reja të cilat duhet të hyjnë në fuqi nga dita e nesërme”.

“Definitivisht për këtë do të informoj qeveria sapo t’i ketë miratuar por e rëndësishme është që është arritur pajtueshmëri për disa masa të cilat synim primar kanë ngadalësimin e përhapjes së variantit Omicron i cili është variant dominues edhe në vendin tonë dhe të parandalojmë mbingarkesën e tepërt spitalore dhe të parandalojmë format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet nga COVID”, u shpreh ai.

Hoti deklaroi se qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të kenë të tri dozat e vaksinës anti-COVID, apo edhe dy doza dhe testin PCR negativ.

Ai u shpreh se do të angazhohen që të ketë zbatim dhe mbikëqyrje më të rreptë të këtyre masave, sidomos në qendrat tregtare.

“Sigurisht që do të ketë masa sa i përket hyrjes në vendin tonë, qytetarët që vijnë në vendin tonë sigurisht që do të kenë 3 doza apo 2 doza dhe testin PCR të freskët për të dëshmuar mund të ketë kufizime edhe të kalimit të disa shërbimeve nga forma e dhënies së shërbimeve fizike në online”.

“Do të ketë kufizime sa i përket lëvizjes e dini që përpara ka qenë koha kur nuk ka pasur lëvizje nga ora 24:00 deri në 05:00 të mëngjesit, ndërsa tani kufizimet fillojnë nga ora 22:00 që automatikisht nënkupton që sektori i gastronomisë do të punoj një orë më pak që do thotë që veprimtaritë duhet të mbyllen në orën 21:00 si dhe do të ketë edhe masa tjera pa përjashtuar ndonjë sektor në mënyrë të veçantë”.

“Ne presim që disa masa të prekin edhe qendrat e ndryshme tregtare ku qytetarët apo klientët që duhet të frekuentojë ato duhet të jenë të vaksinuar ose ata që refuzojnë vaksinimin duhet të kenë dëshmi mjekësore pse nuk mund të vaksinohen sepse kemi konsideruar se faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e rasteve Omicron janë këto institucione apo veprimtaritë super shpërndarëse dhe qendrat tregtare janë disa prej tyre”, theksoi ai.

Meqenëse tashmë disa shkolla për shkak të rasteve pozitive me COVID kanë vazhduar mësimin në distancë, Hoti u shpreh se sistemi arsimor do të vazhdojë sipas skenarëve të paraparë më herët për vijueshmërinë e mësimit.

“Sa i përket sektorit të arsimit ekziston udhëzuesi për masat e përkohshme sa i përket COVID-19 i cili zbatohet në fushën e arsimit dhe vendimmarrja nëse një shkollë do të vazhdojë me prani fizike të nxënësve apo me cilindo prej skenarëve që janë në funksion i takon task-forcave të shkollave në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe MASHT, dhe do të jenë edhe më tutje në funksion të tri opsionet të cilat janë zbatuar deri më tani”, u shpreh Hoti.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore