Lajme

Protestë e Njësisë Speciale Operative


Pas protestës së pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) e njohur ndryshe edhe si FIT, para objektit të Qeverisë së Kosovës, këtë të enjte do protestojnë do protestojnë edhe pjesëtarët e Njësisë Speciale Operative.

Siç raporton Ekonomia Online, protesta e tyre do të mbahet brenda zyrave, për dallim NJSI që protestën e zhvilluan para objektit të Qeverisë një ditë më parë.

Të mërkurën, pjesëtarët e NJSI-së protestuan duke kërkuar ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa ka provuar të minimizojë protestën e pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese, ka thënë nëpërmjet një postimi në “Facebook” se secili pjesëtar i NJSI/FIT ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro e sivjet kanë pasur të ardhura më të larta sesa Presidentja e Kosovës.

Ai ka pretenduar se të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet kanë arritur shifruar e mbi 2 mijë e 200 eurove në muaj, përfshirë pagën bazë plus shtesat, derisa ka përmendur edhe shtesën e rrezikshmërisë prej 150 euro në muaj, përderisa vazhdojnë tensionet në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Në fund të muajit nëntor i bie që përveç pagës së rritur, secili prej tyre do të marrë edhe shumën neto prej 1.350 euro retroaktivisht (shtesa e rrezikshmërisë shkurt-nëntor 2023). Nevojat, jo vetëm dëshirat, janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet. Jetojmë në Kosovë, ku BPV për kokë banori në muaj është rreth 460 euro.”, ka shkruar kreu i ekzekutivit të mërkurën.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dhënë justifikimin e tij duke thënë se Kosova është vend i varfër dhe me buxhetin më të vogël në Evropë, derisa ka shtuar se Policia e Kosovës ka pasur mbështetje dhe fokus të veçantë me qëllim të mobilizimit në luftimin e krimit, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit edhe përkundër sfidave buxhetore.

Për pakënaqësitë e NjSI-së ndaj qeverisë, Albanian Post kishte raportuar më 19 tetor, ku thuhej se të njëjtit po e shqyrtonin largimin e përkohshëm nga Policia e Kosovës.

Në raportimin e AP-së, bazuar në informata brenda NJSI-së, njoftohej se anëtarët e kësaj grupe elitare, e referuar shpesh edhe si “krenaria e policisë”, kishin kuptuar se jo gjithçka u ishte përcjellur qartësisht me 24 shtator dhe disa gjëra në zinxhirin politik që ka afektuar punën e tyre në terren kishin çaluar.

Moskokëçarja e kryeministrit për kërkesat e NJSI/FIT: Sivjet patën të ardhura më të larta sesa presidentja

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore