Lajme

Propozimi i Haradinajt për “qeveri teknike” është i kotë dhe s’kryen punë


“Qeveria e unitetit kombëtar” po shihet si alternativë nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për t’u përballur me situatën politike dhe të sigurisë në Veri dhe me sanksionet që i janë vendosur Qeverisë së Kosovës nga Bashkimi Evropian për mos shtensionim të situatës, por njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë nuk e shohin si opsion që ofron zgjidhje këtë ide të ish-kryeministrit.

Çdo qeveri e re duhet të burojë nga kuti të reja votimi, thonë ata.

Belgzim Kamberi nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari, thotë për Albanian Post se sado që mund të tingëllojë si një propozim me interes kombëtar, çdo qeveri e re do të duhej të rilegjitimohej në një proces zgjedhor, qoftë edhe ajo e “unitetit kombëtar”.

“Pa proces rilegjitmues zgjedhor vështirë se mund të pritet që një qeveri e tillë të marrë vendime të rëndësishme, qoftë lidhur me menaxhimin e krizës së veriut, qoftë me zbatimin e planit të Bashkimit Evropian”, tha Kamberi.

Përvec kësaj, atij i duket “e pamundshme” që të krijohet një qeveri e përbashkët nga pushteti dhe opozita aktuale në Kosovë.

“Përpos që duket vështirë e mundshme, në kontekstin aktual politik në Kosovë, ajo do të ishte me kapacitete edhe më të kufizuara vendimmarrëse sesa qeveria e tanishme”, shtoi ai.

“Problemet aktuale të Kosovës janë thelbësisht politike dhe kërkojnë vendimmarrje politike që buron më shumë nga një legjitimitet i fuqishëm nga poshtë se nga ndonjë marrëveshje politike ‘lartë’ midis të zgjedhurve të tanishëm të dalur nga një proces zgjedhor që nuk është legjitimuar për opsione të tilla qeverisëse dhe për vendimmarrje të tilla politike”.

Edhe profesori i medias dhe konfliktit në Universitetin Adger, Abit Hoxha, është në një linjë me Kamberin.

Thotë se është e panevojshme një “Qeveri e unitetit kombëtar”, derisa kritikon opozitën për mungesë të opsioneve për të dalë nga kriza që është futur Kosova.

“Qeveria Kurti është zgjedhur me një numër të lartë të votave dhe sa i përket përfaqësimit, nuk ka nevojë për qeveri të unitetit, sepse kjo qeveri nuk ka krizë autoriteti e as legjitimiteti, por ka krizë identiteti”, vuri në pah Hoxha për AP.

Kurse Hoxha shton se opozita – në vend të një qeverie teknike – duhet të tregojë lidership dhe të bashkërendojë agjendën e opozitarizmit duke informuar qytetarin, por edhe duke dhënë opsione ma të mira zgjidhjesh për problemet.

“Mendoj se presioni duhet të ndërmerret që qeveria e tanishme të kryejë detyrat e saj sipas strategjive kombëtare dhe planeve e që këto të fundit, përcaktojnë qartazi orientimin euro-atlantik e që qeveria e tanishme ka devijuar nga ky kurs. Gjithashtu, përcaktimi euro-atlantik buron nga Kushtetuta e Kosovës”.

Propozimi i Haradinajt për “Qeveri të unitetit kombëtar”, me VV-në, por pa Kurtin

Tri ditë më parë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media pati propozuar një “qeveri të unitetit kombëtar” në përbërje prej të gjitha partive parlamentare, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje – aktualisht udhëheqë me ekzekutivin – do ta kthente Kosovën në normalitet, ndërsa e ka përjashtuar nga ky “ekuacion uniteti” kryeministrin Albin Kurti.

“Ne do të diskutojmë me të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës përveç Listës Serbe për mocionin. Sipas bindjes tonë, ne kemi diskutuar edhe për një qeveri të unitetit kombëtar, përfshirë edhe VV-në, por pa Kurtin, që do ta kthente Kosovën në normalitetin e vet”, pati theksuar kreu i AAK-së.

AAK-ja pos idesë për “qeveri të unitetit kombëtar”, po kërkon mocion mosbesimi për qeverinë Kurti pas situatës së tensionuar në Veri dhe sanksioneve të ShBA-ve karshi Kosovës.

Haradinaj, gjatë fjalimit të tij në seancën plenare të Kuvendit muajin e kaluar ka kërkuar të di pse partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po hezitojnë të votojnë pro-mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë.

“Ku e keni problemin të gjithë ju që hezitoni për mocion, pse bre s’po keni guxim me dal secili për veti me thonë po e votojë mocionin, çfarë po ndodhë te opozita ju lutem”, kishte thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore