Sport

Propozim ‘i çmendur’ i De Laurentiis-it për Serinë A


Debati midis meritave sportive dhe nevojave ekonomike që doli në dritë falë projektit të Superligës Europiane, u shfaq disi edhe në Serinë A, në Asamblenë e Presidentëve.

Asambleja e Presidentëve të klubeve të Serisë A, u mbajt ditën e hënë dhe kishte si qëllim, parashtrimin e ideve për reformimin e ligës dhe për ta bërë më të qëndrueshme ekonomikisht.

Por, teksa diskutimi më i madh është midis një lige me 20 skuadra apo me 18, një propozim i çuditshëm ka ardhur nga Presidenti i Napoli-t, Aurelio de Laurentiis.

Sipas La Repubblica, De Laurentiis-i ka propozuar në asamble që Seria A të përbëhet nga 16 ekipe, prej të cilave, vetëm një ekip do të bjerë nga kategoria në fund të sezonit.

Sidoqoftë, presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Gabriele Gravina, dëshiron të ketë një tjetër mbledhje për të diskutuar përsëri zhvillimet në Serinë A, më 30 qershor 2021.

Ajo që vlen të theksohet, është fakti, se çdo ndryshim që pritet të ndërmerret, nuk mund të vihet në zbatim përpara vitit 2024, pasi Seria A ka shitur të drejtat televizive për 20 ekipe deri në ketë vit, te transmetuesit DAZN dhe Sky.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore