Shqipëria

Prokuroria vendos sekuestro mbi serverat e AKSHI-t


Prokuroria e Tiranës ka vendosur të enjten e 23 dhjetorit sekuestron mbi serverin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë të Informacionit (AKSHI).

Kjo, pas publikimit të listave me të dhëna të ndjeshme të qytetarëve – ku pasqyrohen pagat dhe të dhënat e tyre personale.

Një listë e jashtëligjshme, e një databaze me të dhënat e 637 mijë e 138 tatimpaguesish, qarkulloi me shpejtësi në rrjetin social “Whatsapp”.

Prokuroria e Tiranës do të niste zyrtarisht të mërkurën e 22 dhjetorit një hetim mbi të dhënat e publikuara.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI)

Nga burimet e Albanian Post u mësua se, ndër detajet personale të publikuara, përfshihen të dhënat e të punësuarve me numrin personal të identifikimit, NIPT-in e biznesit ku janë të punësuar dhe pagat bruto të deklaruara.

Prokuroria e Tiranës bënte me dije se dyshimet e para bien mbi të dhëna të dala nga Sigurimet Shoqërore ose nga Drejtoria e Tatimeve.

Edhe serverat e këtyre institucioneve gjenden tanimë nën sekuestron e Prokurorisë.

Kjo ishte hera e dytë kur të dhëna personale të qytetarëve publikohen gjerësisht.

Përpara zgjedhjeve të 25 prillit, çështja e njohur si “patronazhistët”, u bë e njohur për publikun, pas një liste me mbi 900 mijë profile qytetarësh të publikuar.

Ajo përbëhej nga të dhënat e numrit personal të identifikimit si edhe një preferencë e pretenduar partiake.

Por, publikimi i kësaj databaze, e tejkalon shumë herë, për shkak të natyrës së të dhënave që janë shpërndarë.

Ndërtimi i ngjarjes

Të mërkurën e 22 dhjetorit u publikuan pagat për muajin janar 2021.

Sot, të enjten e 23 dhjetorit, ndërkohë që kryeministri Edi Rama po jepte shpjegime mbi rrjedhjen e të dhënave, është publikuar lista e pagave të muajit prill 2021, për të gjithë punonjësit e sektorit publik dhe privat.

Redaksia e Albanian Post ka arritur të sigurojë listën e përditësuar të muajit prill, ku duken qartësisht ndryshimet.

Për arsye etike, ashtu si për të dhënat e janarit, Albanian Post nuk do të publikojë asnjë të dhenë.

Por, pavarësisht kërkimit të faljes publike nga kreu i Qeverisë, duke se çështja vijon të rëndohet, ku rrjedhja e të dhënave bëhet edhe më e madhe dhe indiciet parakrake, sugjestionojnë se edhe pagat e muajve të tjerë mund të jenë në qarkullim.

Ky dokument i dytë, përmban më shumë të dhëna, me 694 mijë e 473 persona pjesë e listës.

Ndërsa i pari ka qarkulluar në rrjetin Whatsapp si dokument, i dyti ka qarkulluar nëpërmjet një linku në rrjetin e shpërndarjes WeTransfer.

Një detaj tjetër i listës, është fakti se këtë herë, të publikuar, janë edhe numrat e telefonave të qytetarëve. Ata janë të vendosur në një faqe më vete, së bashku me datëlindjet dhe vendlindjen e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore