Lajme

Prokuroria Speciale ka ngritur 33 aktakuza për krime lufte


Prokuroria Speciale

Prokuroria Speciale e Kosovës, në një konferencë për media, të premten, ka bërë të ditur se janë ngritur gjithsejtë 33 aktakuza ndaj 89 personave të akuzuar për krime lufte në Kosovë.

Duke folur për këto aktakuza, prokurorja, Drita Hajdari, ka theksuar se procesi i ngritjes së aktakuzave dhe gjykimit të tyre po paraqet shumë probleme meqë shumica e të dyshuarve ndodhen aktualisht në Serbi.

“Shumica e tyre janë në Serbi ndërsa viktimat dhe dëshmitarët janë në Kosovë dhe kjo ka paraqitur një vështirësi të madhe për ngritjen e aktakuzave sepse nuk kemi mundur të ngremë aktakuza pa i marrë në pyetje të pandehurit, mirëpo kjo rrethanë nuk na ka ndal”, tha Hajdari.

Aktakuzat, sipas Prokurorisë, përfshijnë rastin e Masakrës së Mejës dhe asaj në Burgun e Dubravës.

Sipas prokurores Drita Hajdari, rasti i Mejës është trashëguar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë – EULEX, që e kishte hapur hetim në vitin 2013 kundër 18 personave.

Ajo bëri të ditur se me pranimin e rastit në fund të vitit 2018, prokurorët e kanë vazhduar hetimin, duke e zgjeruar atë edhe për 35 persona të tjerë, e duke e çuar në 53 numrin total të të pandehurve në këtë rast.

Në anën tjetër gjatë konferencës për Masakrën e Dubravës, specifikisht ka folur prokurori, Ilir Morina, duke njoftuar se për këtë rast janë 88 të pandehur, ku vetëm një i pandehur është në paraburgim aktualisht.

“Për të pandehurit e tjerë vazhdojnë hetimet, Maskara e Dubravës, nuk përfundon me këtë aktakuzë ne jemi duke i vazhduar hetimet, jemi duke i mbledhur provat dhe kur të jemi gati në përputhje me kushtet ligjore do të procedojmë edhe ndaj këtyre pandehurve të tjerë”, tha ai.

Në anën tjetër kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka potencuar se ky institucion do të vazhdojë të punojë pa ndalur në ndjekjen e të gjitha rasteve që kanë të bëjnë me krime lufte.

“Përkundër faktit që ka kaluar një kohë e konsiderueshme dhe janë krijuar vështirësi për një punë sa më të suksesshme për identifikimin e kryerësve dhe kapjen e tyre për t’i sjellë para drejtësisë. Me këtë rast dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se Prokuroria Speciale do të vazhdojë të punojë pa ndaluar në hetimin dhe ndjekjen e të gjitha rasteve që kanë të bëjnë me krimet e luftës, përkundër vështirësive që na presin”, tha Isufaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore