Lajme

Prokuroria po e interviston Martin Berishajn, i dyshuar për afera korruptive dhe shpëlarje parash


Martin Berishaj

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është duke u intervistuar nga Prokuroria Speciale në Prishtinë.

Siç ka mësuar Albanian Post nga burime brenda Prokurorisë Speciale, Berishaj po intervistohet për përfshirjen në afera korruptive dhe shpëlarje parash.

Në ndërkohë intervistimi i tij është konfirmuar edhe nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Berishaj, burimeve nga Prokuroria Speciale, po intervistohet që nga ora 8:00 e mëngjesit.

Vitin e kaluar mediat sllovene raportuan për një skandal të madh financiar ku ishte i përfshirë edhe ambasadori Berishaj.

Në artikullin e TV Planet thuhej se Martin Berishaj kishte kompani në Mal të Zi me emrin MB Consulting dhe paguhej si konsulent nga kompania e energjisë elektrike GEN-I dega në Beograd.

Më vonë, do pranohej nga vetë Berishaj se është e vërtetë që ka kompani me këtë emër dhe gjithashtu është e vërtetë se u pagua nga GEN-I dega në Beograd.

Berishaj veç marrjes së parave dhe kompanisë në Mal të Zi, ai po dyshohet se një pjesë të parave të marra në Beograd nga GEN-I i ka sjellur edhe në Kosovë.

Ato para të Berishajt dyshohet se financuan fushatat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo.

Në anën tjetër, në Kosovë Berishaj akuzohet nga Prokuroria Themelore për “mos-deklarim të pasurisë apo deklarim të rrejshëm të pasurisë” dhe nga Prokuroria Speciale për “shpëlarje parash”.

Ekziston po ashtu edhe një kallëzim penal për Berishajn i cili dyshohet se ka bërë evazion fiskal dhe nuk ka paguar taksa..

Përkundër këtij skandali me përmasa rajonale, Berishaj ka mbetur i paprekur në pozitën e tij.

Deri më tani, Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, i janë vënë në mbrojtje Berishajt dhe thonë se s’kanë arsye ta shkarkojnë.

Ai vazhdon të jetë përfaqësuesi i Kosovës në shtetin mik të Kroacisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore