Lajme

Prokuroria në Speciale kërkon që dënimi ndaj Gucatit e Haradinajt të mbetet në fuqi


Hysni Gucati e Nasim Haradinaj

Të enjten në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka filluar seanca e Apelit ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, ndërsa sot të Premten seanca në fjalë është duke vazhduar.

Ish krerët e OVL-UÇK-së po apelojnë aktgjykimin e dhënë nga trupi gjykues në maj të këtij viti ku të dy u shpallen fajtor dhe u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe nga 100 euro gjobë.

Megjithatë Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting, ka kërkua nga Paneli i Apelit që të lë në fuqi dënimet e shqiptuara nga trupi gjykues.

“Të akuzuarit pretendojnë që janë trajtuar në mënyrë të padrejtë në proceset gjyqësore. Ata janë dënuar pas një procesi gjyqësor tërësisht të drejtë dhe dënimi i dhënë për këtë ka qenë i drejt”, ka thënë Whiting.

Në anën tjetër kjo deklaratë e prokurorit është kundërshtar nga mbrojtja e Hysni Gucatit, avokati Jonathan Elystan Rees.

“Prokurori çorientoi gjykatën kur tha që të akuzuarit kanë marrë të gjitha dokumentet të cilat lidhen me pretendimin që ka të bëjë me shtytjen në kryerjen e veprës penale, në fakt nuk është kështu, dokumentet të cilat kanë të bëjnë me këtë pretendim të mbrojtjes nuk janë marrë gjatë procesit gjyqësor”, ka argumentuar ai.

E ky argumentim është kundërshtuar nga prokurori.

“Nuk qëndron pretendimi i mbrojtjes që ka pasur shtytje të të akuzuarve për kryerjen e veprës penale sepse së pari nuk kishte përfshirje të nëpunësve të zbatimit të ligjit dhe së dyti nuk ka pasur detyrim për kryerjen e krimit”, ka thënë Whiting.

“Nëse paneli i Apelit pra arrin në përfundim se nuk ka detyrim siç la bërë trupi gjykues, atëherë këtu i vjen fundi i çështjes dhe nuk ka nevojë të bëhen kërkesa të tjera, pra provat tregojnë që nuk ka pasur detyrim, nuk ka pasur shtytje për kryerjen e veprës penale për pasoja nuk ka arsye që të vinin në Apel”.

Ndryshe, Gucati dhe Haradinaj më 18 maj u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe gjobë në shumën prej 100 euro, për veprat penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore