Kosova

Prokuroria interviston Lushtakun për rrahjen në Kuvend, avokati thotë se veprimet i bëri në vetëmbrojtje


Një ditë pas ftesës nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, këtë të premte është intervistuar nga Prokuroria për rastin e rrahjes që ndodhi të enjten në Kuvendin e Kosovës në mes të deputetëve të PDK-së dhe kabinetit qeveritar.

Avokati i Lushtakut, Faton Fetahu, pas përfundimit të intervistimit ka njoftuar se deputeti i PDK-së është intervistuar në cilësinë e viktimës, por edhe të dyshuarit.

Sipas avokatit Fetahu, Lushtaku – i cili ishte njëri nga protagonistët e përleshjes në kuvend – “të gjitha veprimet e tij i ka bërë në vetëmbrojtje, sepse ka qenë në rrethana të mbrojtjes të nevojshme për ta parandaluar sulmin e atypëratyshëm”

“Zotëri Lushtaku ishte në vendin e tij të punës për dallim nga zotëri (Besnik) Bislimi dhe anëtarë të tjerë të punës. Ai u sulmua në vendin e tij të punës”, tha Fetahu.

Në rrethanat e rastit konkret, pohon avokati “veprimi i tij ishte si një kundërpërgjigje ndaj skandalit që ka ndodhur dhe që nuk mori përgjigje”, duke shtuar se “në tensionin që ata reflektonin, veçanërisht pas provokimit të situatës nga Bislimi që e hoqi atë fotografinë e vendosur nga deputetët”.

“Ky është rasti i parë i një anëtari të qeverie që ndërhyn në sallën e Kuvendit. Atëherë, në refleksion të tensionit që transmetonte është vlerësuar e nevojshme një veprim që ka imunitet zotëri Lushtaku; një spërkatje me ujë”, shtoi ai.

Sipas tij, veprimi i deputetit Lushtaku “nuk e cenon integritetin fizik të pjesëmarrësve të tjerë, përkatësisht anëtarëve të Qeverisë, por fatkeqësisht nga ana tjetër nuk ishte përgjigja e njëjtë dhe jo reciproke”.

“Sepse ai u sulmua i pari dhe ne, të gjitha këto elemente i kemi prezantuar para prokurores, dhe nuk kam edhe çfarë të shtoj më tepër”, shtoi ai.

Si rrodhi ngjarja?

Situata në Parlament eskaloi fillimisht pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, vendosi një letër ku Albin Kurti dukej me hundë të zgjatur – që karakterizon personazhin e “Pinokiut” – që përdoret si simbolikë e gënjeshtarit, në një kohë kur ai po fliste për situatën në Veri të Kosovës.

Më këtë veprim të deputetes Musliu, nuk u pajtua zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili u ngrit nga ulësja e tij ku po qëndronte, dhe doli për ta larguar atë letër vetëm pas disa sekondave.

Ky akt i Bislimi provokoi situatën edhe më tej; pasi Mërgim Lushtaku, nga PDK, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Bislimit hodhi ujë në drejtim të Kurtit fillimisht – i cili po fliste në foltoren e kuvendit – dhe më pastaj vartësit të tij Bislimit, derisa ky i fundit iu kundërpërgjigj duke e goditur me shishe të ujit deputetin Lushtaku.

Situata agravoi në përleshje fizike pasi deputetët e PDK-së u përplasën me disa nga ministrat e qeverisë Kurti dhe deputetët e mazhorancës.

Nuk munguan as grushtet e shtyrjet.

Pas agravimit të situatës në sallën e Parlamentit të Kosovës intervenoi edhe mbrojtja e afërt e kryeministrit me qëllim; ndalimin e përleshjeve të mëtejme.

Në tentim për të shtensionuar situatën kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ndërpreu seancën fillimisht për 30 minuta e më pastaj për 2 orë, teksa kërkoi nga organet e sigurisë që të vazhdojnë punën e tyre me gjithçka që është e nevojshme.

Pas rinisjes së seancës plenare, përsëri përplasjet nuk munguan – jo si në atë paraprake. Deputetët e PDK-së dhe të partive të tjera opozitare kërkuan që të ndërpritet seanca, mirëpo shumica insistonte që vazhdonte me miratimin e Projektligjeve që ishin paraparë.

Të gjendur në këtë situatë, ligjvënësit e partisë më të madhe opozitare, tentuan që ta bllokojnë punën e kuvendit, madje deputetja Ganimete Musliu, dhe Floretë Zenjullahu, mbanin dy pankarta në duar; në njërën ishte Kurti, në tjetrën shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Të dy këta ishin portretizuar si “Pinokio” (gënjeshtarë), ndërsa anë ato pankarta kishin edhe një mbishkrim në gjuhën serbe “Zdravo”, kjo pas audio-incizimeve që u publikuan këto ditë, ku dëgjohej kryeshefja e deputetëve të VV-së Kusari-Lila, duke koordinuar politikat shtetërore me kriminelin dhe terroristin, Milan Radojiçiç.

Thirrja që deputetja Musliu e përsëriste vazhdimisht ishte “Qeveria ‘Zdavo’ nuk kalon”.

Seanca do të vazhdonte normalisht vetëm pas pranimit të kërkesës së PDK-së; largimi nga seanca plenare e zëvendëskryeministrit Bislimi, dhe Ministrit të Financave, Hekuran Murati, pasi që të njëjtit konsideroheshin nga deputetët e PDK-së si shkaktarë të dhunës.

Pas largimit të tyre, opozita do të bojkotonte seancën plenare, si shenjë frustrimi ndaj qeverisë, duke i lënë ata të vetëm që të miratonin ato Projektligje të parapara, çka edhe e bënë deri në orët e vona të mesnatës.

Shishja e Pushtetit dhe flakaresha e Opozitës – Parlamenti i Kosovës si dikur, por ndryshe

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore