Kosova

Prokuroria identifikon dhe nis hetimet mbi dy serbët që u panë në Deçan


Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar të shtunën se janë identifikuar dy serbët, të cilët ishin parë në Komunën e Deçanit, pak ditë më parë helmimit të mijëra qytetarëve të kësaj komune, nga përdorimi i ujit të pijshëm.

Përmes një njoftimi për media, kjo Prokurori ka bërë të ditur se po punohet që të verifikohet nëse ata kishin lidhje të mundëshme me situatën e krijuar ditëve të fundit në këtë komunë.

“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik se, lidhur me situatën e krijuar ditëve të fundit në komunën e Deçanit, pasi janë pranuar informata se para disa ditësh janë parë duke lëvizur në drejtim të Manastirit të Deçanit, dy persona të nacionalitetit serb, menjëherë janë ndërmarrë veprime me autorizimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Pejës në koordinim me Agjencinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Pejës.

Identifikimin, bazuar në pamjet e ofruara nga kamerat e sigurisë, Prokuroria ka deklaruar se e ka bërë në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

“Ashtu që është bërë identifikimi i personave që shihen në ato fotografi dhe do të verifikohet nëse kanë lidhshmëri eventuale me situatën e krijuar ditëve të fundit në komunën e Deçanit”, thuhet në njoftim të Prokurorisë Themelore të Pejës.

Ekipi i Albanian Post,gjatë vizitës në terren ka treguar mbi shqetësimet e një qytetari rreth një vizite të dy serbëve në lokalin e tij, të cilën ai e quante të dyshimtë.

Helmimi masiv në Deçan, gjatë fundjavës, ka bërë që kjo komunë të shpallë gjendje emergjente.

Pas publikimit të kronikës nga Albanian Post, kanë filluar hetime të detajuara, është konstatuar se uji i pijshëm është kontaminuar, është shkarkuar ekipi që menaxhonte pusetat, është thirrur mbledhje e agjencive, edhe asaj të Inteligjencës së Kosovës ku janë intervistuar njerëz përgjegjës për gjendjen.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Shëndetësisë në Deçan, nga dita e shtunë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan, kanë kërkuar ndihmë mbi 1 mijë e 500 persona, ndërsa qindra prej tyre kanë patur të njëjta simptoma të helmimit.

Sipas njoftimit të IKShPK-së, ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit të traktit gastrointestinal, janë duke vazhduar për detektim të patogjeneve të ndryshëm viral, bakteror dhe parazitar.

Ujësjellësi rajonal “Hidrodrini”, ka përsëritur të enjten gjetjet e IKSHPK-së, duke thënë se mostrat e analizave rezultojnë se analizat fiziko-kimike si dhe ato bakterologjike kanë dalë në kufijtë e lejuar, në bazë të standardeve të Bashkimit Europian.

Ky institucion ka kërkuar që testohen edhe disa mostra të ujit nga bunarët, që banorët kanë në pronësi në atë zonë, për të shmangur dilemat e mundëshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore