Lajme

Prokuroria hap rast pas vendosjes së pengesave afër pikës kufitare në Bërnjak


Prokuroria e Mitrovicës

Të shtunën në afërsi të pikës kufitare në Bërnjak ishin vendosur disa pengesa me drunj dhe një mjet artizanal i përbërë me gozhda të cilat shërbenin për dëmtim të gomave të automjeteve.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni deklaroi për Albanian Post se është hapur rast në drejtim të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme”.

“Sa i përket rastit të pengesave, është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ka udhëzuar policinë që të hapet rast në drejtim të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme”. Rasti vazhdon të hetohet në koordinim me policinë”, tha ai për AP.

Në muajin dhjetor të 2022, në këtë pjesë ishin vendosur barrikada nga serbët lokalë.

Foto nga arkivi: Pika kufitare në Bërnjak

Situata e tensionuar në Veri të Kosovës që nga muaji nëntor ishte përshkallëzuar pas arrestimit të ish-policit me kombësi serbe, Dejan Pantiç, i cili dyshohej për sulmin e 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Veri.

Ai ishte larguar nga radhët e policisë bashkë me afër 600 të tjerë meqë kolektivisht vendosën ta braktisin forcën policore me urdhër politik të Listës Serbe për të lëshuar institucionet në të gjitha nivelet.

Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë këto dy pika ishin mbyllur për qarkullim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore