Lajme

Vendosen edhe dy barrikada të reja në Veri


Barrikadat e reja në Mitrovicën e Veriut

Edhe dy barrikada të reja janë shtuar mëngjesin e së martës të 27 dhjetorit në Mitrovicën e Veriut.

Lajmin e ka bërë të ditur  Policia e Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut duke thënë se “njëra barrikadë është vendosur në udhëkryqin te shkolla teknike dhe tjetra te vendi i quajtur “Kërshi i Dudes”.

“Në veri të vendit, gjatë natës persona grupe kriminale, kanë vazhduar vendosjen e barrikadave duke penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes së lirë. Referuar informacioneve zyrtare, janë vendosur edhe dy barrikada me mjete të rënda”, tha Policia për Albanian Post.

Ky lokacion gjendet në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve, që është një vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë.

13 barrikada janë shtuar në Veri që nga 10 dhjetori as sulmet e bandave kriminale serbe ndaj gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it dhe EULEX-it, nuk e kanë bindur ende komandantin e Forcave Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, Gjeneralin Major Angelo Michele Ristuccia, që t’i largojë barrikadat.

Edhe takimi i së hënës mes Ristuccia-s dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, nuk ka rezultuar me përfundime konkrete, përveç një pajtimi të përgjithshëm se duhet të largohen barrikadat.

Situata e tensionuar në Veri të Kosovës që nga muaji nëntor është përshkallëzuar pas arrestimit të ish-policit me kombësi serbe, Dejan Pantiç, i cili dyshohet për sulmin e 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Veri.

Ai ishte larguar nga radhët e policisë bashkë me afër 600 të tjerë meqë kolektivisht vendosën ta braktisin forcën policore me urdhër politik të Listës Serbe për të lëshuar institucionet në të gjitha nivelet.

Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.

Edhe pse institucionet e Kosovës thanë se kanë kapacitete për largimin e barrikadave të ngritura në Veri, ata shtuan se i kanë dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i largojë vetë ato.

Kjo krizë ka bllokuar edhe dialogun në Bruksel, i cili u duk se po futej në një fazë përfundimtare me propozimin franko-gjerman.

Aktualisht në Veri forca patrulluese është KFOR-i, derisa policia e Kosovës nuk mund të lëvizë vetë në vende të ndryshme pa asistencën e KFOR-it.

Për pasojë edhe një grup policësh mbetën të bllokuar në pikat kufitare në Veri për 14 ditë, derisa KFOR dhe EULEX ndihmuan zëvendësimin e tyre.

Gjatë raportimit nga vendi i ngjarjes brenda 17 ditëve, 13 punëtorë të medias janë sulmuar në Veri, në mesin e tyre kanë qenë gazetarë/e, fotoreporterë, kameramanë, shoferë.

Kurse, më 26 dhjetor, rreth orës 20:00 të së dielës u dëgjuan breshëri armësh në rrethinë të Zubin Potokut në Veri të Kosovës, afër njërës nga barrikadat e vendosura nga serbët atje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore